Ministria e Mbrojtjes: Operacione nga ajri për shuarjen e flakëve në Finiq dhe Mirditë
Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën në vatrat aktive të zjarreve në vend.
MM bëri të ditur se, në Finiq, flakët në fshatin Livinë janë vendosur nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për banesat. Operacionet për shuarjen e zjarrit po zhvillohen nga ajri me helikopterin Black Hawk dhe avionin kroat Canadair, ashtu edhe nga toka.
Mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore janë pozicionuar përreth fshatit, në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, thekson MM, teksa shton se, autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për komunitetin.
Në Mirditë, thekson MM, operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë me mbështetjen e mjeteve ajrore.
Deri tani, avioni “Canadair” nga Italia ka realizuar 7 hedhje mbi vatrat e zjarrit, duke lëshuar rreth 50 mijë litra ujë në terren.
MM nënvizon se, ndërhyrja nga ajri po kombinohet me punën e forcave tokësore dhe mjeteve zjarrfikëse, të cilat po operojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve.
