Në hetim si bashkëpunëtor në vjedhje/ Arbër Veliaj si i vëllai në burg: SPAK ka dalë jashtë kontrollit
Duke komentuar drejtësinë e re në Shqipëri, The Economist është ndalur tek rasti i arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në artikull theksohet se Veliaj edhe pse e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit përfundoi i prangosur për të njëjtën vepër.
Ndërkohë vëllai i Veliaj, Arbër Veliaj ka folur për herë të parë në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut. Arbri ka sulmuar SPAK-un, duke e quajtur institucion të dalë jashtë kontrollit. Arbri ka thënë më tej se SPAK po e mban Veliajn në burg për arsye të pabaza.
Pjesë nga shkrimi i The Economist:
Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Si kryetar i bashkisë së Tiranës që nga viti 2015, ai ka ndihmuar ta transformojë atë nga një qytet i rrënuar në një kryeqytet tërheqës. Por SPAK thotë se Veliaj dhe gruaja e tij pastruan para nga ndërtues përmes një sistemi që përfshinte edhe donacione për OJF. Gjashtë muaj pas arrestimit, Veliaj ndodhet ende në burg; ai u padit zyrtarisht vetëm më 23 korrik.
Kjo është normale për Shqipërinë, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim, shumë më tepër se në pjesën tjetër të Evropës. Bashkë me Veliajn, është paditur edhe një deputete e Partisë Socialiste e akuzuar për ndërhyrje te dëshmitarët. Më 15 korrik, SPAK paditi gjithashtu një ish-deputet socialist për ndarjen e informacionit policor me një bos krimi në këmbim të ndihmës në zgjedhje. Veliaj, gruaja e tij dhe të dy deputetët i mohojnë akuzat e SPAK-ut.
Arbri Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, thotë se SPAK ka “dalë jashtë kontrollit” dhe se po e mban në burg për arsye të pabaza. Arrestimi i tij ka ndarë opinionin publik në Tiranë. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin, policinë sekrete të kohës së komunizmit. Të tjerë gëzohen për rrëzimin e të pushtetshmëve, që besojnë se kanë vjedhur prej kohësh nga populli. Burimi gjyqësor thotë se qëllimi i krijimit të SPAK ishte për t’i dhënë fund “kulturës së pandëshkueshmërisë” në vend. Në Shqipëri, kjo do të ishte historia e shekullit.
