Ndezi zjarr në Poliçan dhe flakët u përhapën në pyll, procedohet një 63-vjeçar me probleme të shëndetit mendor

Një 63-vjeçar me probleme të shëndetit mendor është proceduar penalisht nga policia, pasi dyshohet se ndezi zjarrin që u përhap në të gjithë zonën e pyllit. 

Konkretisht thuhet se 63-vjeçari ka ndezur zjarrin në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore. 

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 63 vjeç, banues në Poliçan, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.", thuhet në njoftimin e policisë. 

Aktualisht flakët janë aktive vetëm në pjesën e pyllit, larg Uzinës së armëve dhe magazinave me lëndë plasëse.

 Bëhet me dije se reparti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit i Bashkisë Poliçan ka rinisur punën për shuarjen e flakëve që në orët e para të mëngjesit të sotëm.