Zjarr në Patos, digjen 4 hektarë me pisha, rrezikohen zonat e banuara
Rreth 4 hektarë pyll me pisha janë përfshirë nga flakët e zjarrit në zonën e Gjinoqarit, në bashkinë Patos, brenda pak orëve.
Zjarri ka marrë përmasa të mëdha për shkak të erës së fortë dhe mungesës së pastrimit të terrenit, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e tij.
Sipas kryeplakut të fshatit, Nuri Gllava, masivi pyjor nuk është pastruar për më shumë se 50 vite, duke ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve dhe duke e bërë të vështirë qasjen me mjete zjarrfikëse.
Era e fuqishme po e shpërndan zjarrin në disa drejtime, duke shtuar rrezikun për zonat e banuara përreth dhe duke e përkeqësuar situatën nga ora në orë.
Dy automjete zjarrfikëse do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë natës, për të mbrojtur perimetrin. Për nesër është parashikuar një ndërhyrje nga ajri, në përpjekje për të ndalur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
