Arrestohet 'skifteri' i Durrësit/ Vidhte para dhe sende me vlerë në automjete, banesa e motoçikleta

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 40-vjeçar të shpallur më herët në kërkim, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Pamjet”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Durrës.

Në bazë të informacioneve të siguruara përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe provave të tjera ligjore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit G. Ll., 40 vjeç, banues në Durrës.

Ai dyshohet si autor i të paktën 5 vjedhjeve, të ndodhura në lagjet nr. 12 dhe nr. 17.

Sipas hetimeve, G. Ll., dyshohet se ka vjedhur shuma parash në euro dhe aksesorë nga automjetet e pushuesve, motoçikleta dhe sende me vlerë në banesa

40-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim edhe për disa vjedhje të tjera në banesa, të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe mjetet që ai përdorte për të kryer vjedhjet.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale "Vjedhja", kryer më shumë se një herë.