Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq ish-drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit N.D. dhe A.G. për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Tiranës njoftoi se “rezultoi se N.D i denoncuar nga shtetasi A.G. në Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për shpërdorim të fondeve, ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e “Urdhrit të Stomatologut” nga viti në vit për përfitime personale”.

“Shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Pavarësisht se u mor i pandehur, ai ndërmori veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së”, njoftoi Prokuroria e Tiranës.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shtetasi N.D. ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhërit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Prokuroria njoftoi se edhe shtetasja A.G., nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo sipas prokurorisë ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore.

“Shtetasja A. G. u emërua si zv.presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi.

“Kjo shtetase ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij ku shpenzimet nuk duhet të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës dhe ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke u bërë subjekt i kryerjes së veprave penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës””, njoftoi Prokuroria.