MOKRA N’FEST/ Përgatitjet e fundit për edicionin e gjashtë të festivalit
Në Mokër të Pogradecit po bëhen përgatitjet për edicionin e gjashtë të festivalit folklorik “Mokra n’Fest”, që do të mbahet më 16 gusht.
Ky aktivitet, i cili ka nisur disa vite më parë, ka si synim ruajtjen dhe promovimin e traditave të kësaj zone malore, duke mbledhur banorë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria.
Sipas organizatorëve, festa do të zhvillohet në ambientet pranë Urës Monument Kulture në fshatin Golik, duke filluar nga ora 14:00. Programi përfshin muzikë live, valle folklorike dhe aktivitete kulturore të lidhura me historinë dhe jetën e përditshme të Mokrës.

Në skenën e festivalit do të ngjiten emra të njohur të muzikës popullore, mes tyre Mariola dhe Jurgen Kaçani, Vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, si dhe ansambli “Mokra”. Krahas tyre, pritet të performojnë edhe artistë të tjerë lokalë.
Pjesë e aktivitetit do të jenë edhe panairet e gatimeve tradicionale, ku vizitorët do të mund të shohin nga afër përgatitjen e lakrorit në saç, kulaçit dhe gatimeve të tjera karakteristike.
Po ashtu, janë planifikuar aktivitete në natyrë, si lundrim me kanoe në lumin Shkumbin, kampe, ekspozita fotografike dhe koloni piktorësh.
Ky festival shihet nga banorët si një mundësi për të mbajtur gjallë kulturën vendase dhe për t’i dhënë zonës më shumë gjallëri, ndërsa për vizitorët, një rast për të njohur nga afër trashëgiminë dhe mikpritjen mokrare.
