Lidhja e dytë e Ajola Xoxës me inceneratorët, si bashkëshortja e Veliaj u fut në skemën e vjedhjes (DOKUMENTET)
CNA, në një shkrim të publikuar së fundi, zbuloi lidhjen e parë që e çon Ajola Xoxën te landfilli i Sharrës, që është kompania “MEG Albania”.
Detaji u evidentua në dëshminë e shtetasit Erald Ismaili, i cili gjatë deklaratës së tij para hetuesve tha se “MEG Albania”, kompani që operonte në fushën e mbetjeve, i ishte referuar nga Ajola Xoxa dhe Klotilda.
Sipas deklarimeve të Erald Ismailit, Vladimir Fezga, i cili ishte dhe pronari i “MEG Albania”, kompani që vinte nga zona elektorale e Veliajt, kishte shkuar në zyrën e Ajola Xoxës për të hapur biznes në as më pak e as më shumë se në landfillin e Sharrës.
Ajola Xoxa asistonte kompaninë “MEG Albania”, përgatiti dokumentet për kompaninë që të merrte biznesin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, vetëm pak muaj pas vrasjes së Ardit Gjoklajt në 2017, në kohën kur kryetar i Bashkisë Tiranë ishte bashkëshorti i saj, Erion Veliaj.
CNA zbuloi se, Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, në detyrë kryebashkiak i Tiranës, shfaqet qartë në asistencën e një kompanie për t’u futur në landfillin e Sharrës dhe më pas për t’i shitur aksionet te kompanitë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.
Skema shkon nga Ajola tek Erioni, në zonën e tij elektorale, më pas në Bashkinë e Tiranës te landfilli i Sharrës për të përfunduar te grupi i strukturuar kriminal i inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston. Detajet e skemës mund t’i lexoni KËTU.
Pas skemës që zbulon hallkat e zinxhirit Ajola Xoxa-Erion Veliaj-“MEG Albania”-inceneratori i Tiranës, CNA do të sjellë një shkrim të dytë ku del sërish lidhja e bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj me kompaninë e inceneratorit të Tiranës.
CNA në prill të vitit 2024 publikoi një kontratë që lidhej me promovimin e një artisti kontemporan, Sislej Xhafa, i cili ka përdorur për promovimin e veprës së tij “Bleta”, “Harabelin” e Ajola Xoxës.
Nga investigimi CNA zbuloi se fondet për kurimin, promovimin dhe instalimin e veprës ishin vënë në dispozicion të “Harabelit” nga “Integrated Energy”, kompania e inceneratorëve.
Sipas marrëveshjes, artisti veprën "Bleta" ia dhuronte “Harabelit” dhe pastaj kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkëshorti i Ajolës, vendos që ta instalojë si vepër arti në territorin e Tiranës.
Kjo vepër duhet të qëndronte për 5 vjet në zonën e inceneratorit të Tiranës.
Sipas marrëveshjes, çdo komunikim do të bëhej tresh, mes artistit, inceneratorit dhe “Harabelit”.
Në të njëjtën kohë, CNA zbardhi edhe lidhjen e Ajola Xoxës me galerinë “NAAN” dhe “HARABEL”.
Në linkun e faqes së Ajola Xoxës (https://thepartners.al/en/contacts/), u gjet adresa e "The Partners Law Firm", Rruga Ibrahim Rugova, nr.5, Sky Tower. Adresa është e njëjtë edhe për “Harabelin”.
CNA në atë kohë zbuloi se "Harabeli" i kalonte Ajolës nga llogaria në Bankën Kombëtare Tregtare një qira prej 1.000 eurosh në muaj.
Në të njëjtën kohë Ajola deklaron në përshkrimin e vet të angazhimeve, edhe punësimin pranë “NAAN
Gallery”, si dhe pranë “Harabel Contemoraru Art Platform”.
VEPRA “BLETA”, vënia dhe zhdukja e saj në zonën e landfillit të Sharrës
Në po të njëjtin vit në 2024, CNA i shkon më tej investigimit dhe zbulon detaje në lidhje me veprën “BLETA” të Sisjel Xhafës, që është promovuar nga “Harabeli” dhe fondet janë vënë në dispozicion nga kompania e inceneratorit të Tiranës.
Vepra famoze e artit e quajtur “BLETA” është kjo që do të shihni në këtë foto, që në fakt për ta shpjeguar me fjalë të vakëta është si një dritare e vjetër së cilës i është vendosur një rrjetë mushkonjash.
Kjo është pikërisht vepra e artit që do të kurohej nga “Harabeli” i Ajola Xoxës dhe duhet të qëndronte për 5 vjet në zonën e inceneratorit të Tiranës.
CNA zbuloi më pas se vepra nuk ishte më në zonën e inceneratorit të Tiranës, ku duhet të qëndronte për 5 vjet, por ishte zhdukur dhe nuk u mësua “fati” i saj, i asaj që në dukje ngjante me një dritare me një rrjetë mushkonjash.
Deklarimet në SPAK në lidhje me veprën “Bleta”
Ergys Krisiko, me datë 24.02.2025 është pyetur si person në dijen për rrethana të dobishme për hetimin.
Për bashkëpunimin me “Nan Gallery”, Qendrën “Harabel” dhe “BYL-A”, sqaroi se ka komunikuar gjithmonë me stafin e “Harabelit” dhe në disa raste edhe me Ajola Xoxën. Ai theksoi se ka kryer shumë punime për to, si të mëdha ashtu edhe të vogla, të cilat nuk i kujton saktësisht për t’i ndarë një nga një.
Për veprën “Bleta”, të instaluar në landfillin e Sharrës, deklaroi se Qendra “Harabel” ka ftuar artistin Sislej Xhafa për të krijuar një vepër dhe studioja e tij është marrë me realizimin teknik të saj. Ai tha se është paguar nga “Harabeli” për realizimin e veprës, por nuk mban mend me saktësi shumën, që duhet të ketë qenë mes 350,000 dhe 450,000 lekëve, dhe nuk kujton nëse pagesa ishte kryer në bankë apo cash.
Pra, këtu në këtë shkrim të dytë del edhe lidhja tjetër e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, të arrestuar për disa vepra të rënda penale me 13 akuza, me kompaninë e inceneratorit të Tiranës./ CNA
