Spanjë / Policia do të përdorë furgonë ‘fantazmë’ për të mbikëqyrur qarkullimin rrugor

Furgonë të rinj profesionalë, pa asnjë shenjë dalluese, janë vënë në shërbim të policisë rrugore në Spanjë, duke befasuar drejtuesit e automjeteve që nuk i njohin si mjete zyrtare.

Këto automjete nuk ngjajnë aspak me patrullat klasike që jemi mësuar të shohim në rrugë, duke e bërë pothuajse të pamundur identifikimin e tyre.

Ngjashmëria me furgonët e zakonshëm që lëvizin çdo ditë në rrugët spanjolle i bën këto mjete pothuajse të padukshme për shoferët.

Projekti u prezantua për herë të parë në mënyrë pilot rreth pesë vite më parë dhe tani është bërë pjesë e rregullt e sistemit të mbikëqyrjes së trafikut në vend, krahas radarëve, dronëve dhe patrullave të zakonshme.

Furgonët ‘e kamufluar’ janë blerë me fonde të Bashkimit Europian, përmes programit ‘Next Generation’, që synon modernizimin e administratës publike.

Sipas vlerësimeve, në rrugët spanjolle po qarkullojnë rreth 75 të tillë.

Ato do të jenë aktive edhe gjatë të ashtuquajturës ‘Operacioni i Veçantë i Trafikut të Gushtit’, periudhë kur priten deri në 52.9 milionë lëvizje për shkak të pushimeve verore.

Në një njoftim zyrtar, policia rrugore spanjolle bëri të ditur se këta furgonë do të përdoren kryesisht për të monitoruar përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Megjithatë, ata kanë autoritet të ndëshkojnë edhe për shkelje të tjera.

Edhe pse identifikimi i këtyre furgonëve është i vështirë, sipas mediave spanjolle, ekzistojnë disa shenja dalluese.

Shumica janë furgonë të bardhë, pa asnjë logosh apo mbishkrim, por në targa mbajnë inicialet ‘PGC’, që tregojnë se i përkasin Gardës Civile.

Në kabinë ndodhen zakonisht dy policë me uniformë.

Sipas dëshmive, këto njësi mund të ndëshkojnë drejtuesit në vend, ose të regjistrojnë shkeljen dhe të sinjalizojnë një postbllok të afërt për të ndaluar mjetin për kontroll.