E rëndë në Francë/ Infermierja 26-vjeçare akuzohet për sul*e sek*uale ndaj foshnjave

Një infermiere 26-vjeçare që punonte në një spital në Paris, po ndiqet penalisht për sulme seksuale ndaj foshnjave, si dhe akuzohet për marrje dhe shpërndarje të materialit pornografik me fëmijë, sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), e cila citon prokurorinë e Bobigny-t.

Çështja doli në dritë pasi një video virale u publikua në rrjetin social TikTok.

Veprat penale janë kryer në dhjetor të vitit 2024 dhe janar të vitit 2025 në spitalin e Montreuil-it, në veri të kryeqytetit francez, sipas prokurorisë në qytetin fqinj Bobigny.

26-vjeçarja, e cila punonte në njësinë e kujdesit intensiv për të sapolindurit e parakohshëm dhe aktualisht është pezulluar nga detyra, u paraqit në një komisariat policie mbrëmjen e së mërkurës.

Ajo e identifikoi si nxitës të ngjarjes partnerin e saj 28-vjeçar, i cili gjithashtu akuzohet për bashkëpunim në këtë rast.

Të dy të pandehurit janë vendosur nën mbikëqyrje gjyqësore, pavarësisht se prokurori kishte kërkuar paraburgimin e tyre.