I dërguari amerikan u premton familjeve të pengjeve në Tel Aviv: Do t’i sjellim të dashurit tuaj në shtëpi, Hamasi do të mbahet përgjegjës
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve, Steve Wietkoff, është takuar sot në Tel Aviv me të afërm të pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës.
Ai u ka siguruar se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i kthyer të dashurit e tyre në shtëpi dhe për të mbajtur Hamasin përgjegjës për veprimet e tij.
“Do t’i sjellim fëmijët tuaj në shtëpi dhe Hamasi do të mbahet përgjegjës për çdo veprim të dëmshëm që ndërmerr. Do të bëjmë atë që është e drejtë për popullin e Gazës,” tha Wietkoff gjatë takimit me familjet, sipas një deklarate të shpërndarë për mediat.
“Ne dimë kush është gjallë dhe disa persona do të mbajnë përgjegjësi nëse ata nuk kthehen të gjallë. SHBA mbështet këtë deklaratë,” shtoi ai.
Gjatë takimit që zgjati pothuajse tre orë, Wietkoff, i dërguar i presidentit Donald Trump, theksoi gjithashtu se fundi i luftës është afër: “Ne kemi një plan për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i kthyer të gjithë në shtëpi.”
Sipas një deklarate të Forumit të Familjeve të Pengjeve, Wietkoff nënvizoi përkushtimin e presidentit Trump dhe gjithashtu angazhimin e tij personal për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve.
Të dhënat zyrtare izraelite tregojnë se aktualisht 50 persona mbahen peng në Rripin e Gazës, nga të cilët besohet se të paktën 20 janë ende gjallë.
