Çfarë po ndodh? Nëndetëse bërthamore pranë Rusisë
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi të premten se ka urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në “rajonet e duhura”, si përgjigje ndaj deklaratave të ashpra të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, të cilat i cilësoi si “jashtëzakonisht provokuese”.
“Në rast se këto deklarata të pamatura janë më shumë se thjesht fjalë, unë veprova për sigurinë e njerëzve tanë. Fjalët kanë rëndësi dhe shpesh çojnë në pasoja të padëshiruara”, tha Trump përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se nuk do të japë detaje mbi vendndodhjen e nëndetëseve për arsye protokolli ushtarak.
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për nëndetëse me energji bërthamore apo të armatosura me armë bërthamore. Megjithatë, SHBA dhe Rusia janë dy shtetet me arsenalin më të madh bërthamor në botë dhe zotërojnë flotat më të mëdha të nëndetëseve strategjike.
Më vonë, në një deklaratë për mediat, Trump e quajti deklaratën e Medvedevit si “kërcënim serioz”: “Nuk mund të rrezikojmë. Detyra ime është të mbroj popullin amerikan.”
Reagimi erdhi pasi Medvedev, tani zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, ka reaguar ashpër ndaj ultimatumit të fundit të Trump ndaj Moskës, që kërkon armëpushim në Ukrainë ndryshe do të vendosë sanksione të reja. Ai e ka cilësuar këtë qasje si “lojë me ultimatume” dhe “teatër” nga një lider që “po e shtyn botën drejt luftës”.
Në një postim të fundit në Telegram, Medvedev përmendi “dorën e vdekur” – një aludim për sistemin automatik rus të hakmarrjes bërthamore, çka rriti frikën për përshkallëzim bërthamor.
Këmbimi i deklaratave mes dy liderëve është bërë gjithnjë e më I ashpër ndërsa Trump që e quajti Medvedev “ish-president të dështuar që ende mendon se është në pushtet”, ndërsa e paralajmëroi të “kujdeset për fjalët që përdor”.
Ndërkohë, Kremlini nuk ka reaguar zyrtarisht, por tregu i aksioneve në Moskë pësoi rënie të ndjeshme pas deklaratave të Trump.

