As vendet nordike nuk i shpëtojnë të nxehtit
Njihen për klimën e ftohtë, por as vendet nordike nuk po i shpëtojnë dot të nxehtit. Ato po përjetojnë një valë nxehti të pazakontë dhe të gjatë, e cila po përkeqësohet nga ndotja që rrit temperaturat në Evropën veriore.
Në pjesën norvegjeze të Rrethit Polar Arktik, një stacion meteorologjik regjistroi temperatura mbi 30 gradë Celsius për 13 ditë gjatë muajit korrik, ndërsa Finlanda ka shënuar tre javë me radhë me temperatura mbi 30 gradë. Kjo është periudha më e gjatë që nga viti 1961, dhe 50% më e gjatë se rekordi më i mëparshëm.
Në Norvegji, temperatura mbi 30 gradë u regjistruan 12 ditë në tre qarqet më veriore dhe pritet që valë e nxehti të rikthehet gjatë fundjavës. Në Suedi, disa stacione në veri kanë regjistruar temperatura mbi 25 gradë për periudha që shkojnë deri në 15 ditë, që është rekord i rrallë që nuk është parë prej më shumë se një shekulli.
Kjo nxehtësi ekstreme është përshkruar si pasojë e ujërave të ngrohtë pranë bregdetit verior të Norvegjisë dhe një zone presioni të lartë që ka ngrohur rajonin 8-10 gradë mbi normat sezonale. Rajoni është goditur gjithashtu nga stuhi dhe rrufe që kanë shkaktuar zjarre në pyje.
Në Finlandë, një pistë akulli u hap për të strehuar njerëzit nga nxehtësia pasi spitali lokal u mbush plot, ndërsa në Suedi, blegtorët paralajmëruan se bagëtitë e tyre rrezikojnë të vdesin nga nxehtësia.
Turistët që kishin planifikuar “pushime të freskëta” në Skandinavi u përballën me paralajmërime për nxehtësi të rrezikshme./tvklan

