Hajdutet e "Bankers"-it, shantazh, vjedhje, pazare dhe intriga në gropën 5.5 miliardë euro

Krahas oligarkëve të naftës dhe kullave, ministrave, ish drejtorëve, kapove të politikës dhe kinezëve, në ‘gropën’ financiare 5.5 miliardë euro të Bankers me pasurinë nëntokësore të Shqipërisë, kanë futur duart edhe disa gra, me faturime fiktive, rroga të fryra, shantazhe, intriga, pazare dhe dallavere.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve, Laura Saro, si administratore dhe aksionere kryesore e kompanisë së asistencës ligjore PCG, themeluar në 2016 dhe çregjistruar më pas, ka përfituar qindra mijëra euro nga Bankers, me faturime të dyshuara si fiktive. Zonja Saro ka qenë ortake në këtë kompani me Besnik Çerekja.

Çerekja, përmes një tjetër linje, ka përfituar rreth 4.4 milionë euro nga Bankers Petroleum Albania. Çuditërisht, juristja 36-vjeçare nuk figuron në dosjen e lodhur të Prokurorisë së Fierit për aferën Bankers, siç janë evituar me kujdes me dhjetëra përfitues të tjerë. Ndryshe nga ortaku i saj, Besnik Çerekja, dora e të cilit del qartë në dosje, ajo nuk del askund. Ky fakt ngre dyshime për një hetim të njënashëm dhe gjueti shtrigash, aq më tepër që kjo dosje duhej të referohej për kompetencë në SPAK.

Atigoni Çobo është gruaja e përdorur si thes për vjedhjen e dhjetëra milionë euro nga ‘ustallarët’ e Bankersit. 59-vjeçarja nga Vlora ka përfituar me fatura fiktive deri në 7 milionë euro në vit nga Bankers.

Paratë që duhet shkonin në buxhetin e shtetit, kanë përfunduar në xhepat e disa batakçinjve.

Gazetarja Laura Çela (Dashi), referuar dosjes, rezulton si pika lidhëse e Bankers me mediat, sidomos me ato televizive, të cilat paguheshin nga kompania me natyrë mafioze për të mos transmetuar protestat dhe ankesat ndaj kompanisë.

Nuk kemi evidenca se sa mund të ketë përfituar vetë, por është e faktuar që Laura ka shpërndarë në media një pjesë të parave që Bankers u ka vjedhur shqiptarëve, duke i blerë që të mos flasin më aferat e kompanisë. Nga përgjimet, Laura rezulton person i besuar në raport me mediat i hajdutit kinez Hongping Xiao, i arrestuar për skemën më të madhe të mashtrimit në historinë e shtetit shqiptar, edhe pse Xiao nuk është i kënaqur me punën e saj.

Hongping Xiao ishte shumë i interesuar që aferat e kompanisë të mos dilnin në media. Kur ndodhte ndonjë skandal dhe që nuk duhej të publikohej në media, hajduti kinez fliste edhe me Doina Goga, pjesë e departamentit ligjor të Bankers. Nga bisedat duket se Xiao kishte më shumë besim tek zonja Goga se sa tek Çela.

Hongping Xiao e pyeste zonjën Goga nëse ishin në rregull kontratat e kompanisë me mediat kryesore. Doga është marrë nën hetim si pjesë e bandës Bankers për veprën penale të krijimit të skemave të mashtrimit.

Diona Goga, Majlinda Thana dhe Flavia Capo janë treshja që ka zbatuar skemën e mashtrimit të madh financiar nga Bankers.

Dallaveret financiare nuk mund të finalizoheshin pa dorën e Matilda Ibraliut, me detyrë menaxhere finance pranë Bankersit. Zonja Ibraliu rezulton ‘fabrika’ e faturave fiktive të Bankersit për vjedhjen e qindra milionë euro./ Prapaskena