SHBA-BRAZIL/ Trump: Jam i hapur për dialog me Lulën për tarifat. Ai mund të flasë me mua kur të dëshirojë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se homologu i tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, mund ta telefonojë kurdo që të dëshirojë për të diskutuar tarifat dhe çështje të tjera që kanë shkaktuar tensione midis dy vendeve.
“Ai mund të flasë me mua kurdo që të dëshirojë”, tha Trump për Lulën, duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i SHBA-së shtoi se ka simpati për popullin brazilian, por “njerëzit që po drejtojnë Brazilin kanë bërë një gabim”.
Ministri brazilian i Financave, Fernando Haddad, më vonë i quajti komentet e Trump “të mrekullueshme”, duke folur me gazetarët në Brasilia. Ai tha se besonte që Presidenti Lula ndihej njësoj dhe do të ishte i gatshëm të merrte një telefonatë nga homologu i tij amerikan.
Në një postim në platformën e rrjeteve sociale X, Lula tha se Brazili ka qenë gjithmonë i hapur për dialog, pa iu referuar Trumpit apo komenteve të tij të mëparshme.
Presidenti amerikan vendosi tarifa prej 50% për importet nga Brazili, me disa përjashtime, duke e lidhur vendimin e tij me atë që ai e quajti një “gjueti shtrigash” kundër ish-kreut të shtetit Jair Bolsonaro, i cili është në gjyq me akuzat për komplotimin e një grushti shteti pas humbjes së tij nga Lula në zgjedhjet e vitit 2022. Qeveria amerikane njoftoi gjithashtu sanksione kundër një anëtari të Gjykatës Supreme të Brazilit që kryesonte gjyqin e Bolsonaros.
Lula i hodhi poshtë si tarifat ashtu edhe sanksionet, duke i quajtur ato ndërhyrje “të papranueshme” në sistemin gjyqësor të Brazilit.
Ministri brazilian i Financave, Fernando Haddad, tha se një videokonferencë me homologun e tij amerikan, Scott Bessant, javën e ardhshme do të hapte rrugën për një takim të ardhshëm Lula-Trump, duke vënë në dukje se një takim i tillë do të kërkonte përgatitje.
Haddad kishte thënë më parë se Brazili kishte nevojë për siguri se Lula nuk do të trajtohej si Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u sulmua verbalisht nga Donald Trump dhe Zëvendëspresidenti i tij, J.D. Vance, gjatë një përballjeje të nxehtë në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.

