ZRRE thirrje bizneseve në Kosovë: Gjeni furnizues ose nga sot do t’iu ndërpritet energjia elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

ZRRE ka deklaruar se nga dita e sotme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

Sipas një njoftimi të ZRRE-së, ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar”, thuhet në deklaratë duke shtuar se furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) ka përfunduar më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.

Po ashtu, ZRRE u bën thirrje të gjithë  konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

“ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane”, thuhet në fund të njoftimit.

Një ditë më parë bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, transmeton KosovaPress.