Greqia jep alarmin: Pushtohet Qiproja

Autoritetet greke kanë shpallur një gjendje emergjente në ishullin jugor të Kretës, duke e cilësuar situatën si një “pushtim të vërtetë”, për shkak të rritjes së ndjeshme të mbërritjeve të migrantëve përmes detit, kryesisht nga Libia.

Në përpjekje për të ndalur fluksin e paprecedentë dhe për të mbrojtur, sipas tyre, sigurinë kombëtare, qeveria greke ka miratuar një ligj të ri që pezullon përkohësisht pranimin e kërkesave për azil për të gjithë të ardhurit përmes itinerarit të Mesdheut Qendror nga Afrika e Veriut, për një periudhë fillestare prej tre muajsh.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi se situata në Kretë është bërë e paqëndrueshme dhe se shteti nuk do të tolerojë hyrje të paligjshme që përbëjnë, sipas tij, një kërcënim për rendin dhe sovranitetin grek.

“Greqia nuk do të lejojë të përdoret si korridor nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Kjo është një çështje sigurie kombëtare,” u shpreh ai për mediat greke.

Të gjithë migrantët që kanë mbërritur së fundmi janë vendosur në qendra të përkohshme në ishull ose janë zhvendosur drejt kontinentit, ndërsa qeveria është në proces ndërtimi të qendrave të reja pritëse me siguri të lartë. Ligji i ri përfshin gjithashtu masa të ashpra ndalimi për organizatat joqeveritare që ndihmojnë zbarkimet.

Megjithatë, vendimi ka hasur në reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe Komisioni Evropian, të cilët e konsiderojnë pezullimin e azilit një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe Konventës së Gjenevës për refugjatët.

Amnesty International paralajmëroi se kjo politikë krijon precedent të rrezikshëm për vendet e tjera të BE-së dhe rrezikon jetën e mijëra personave që largohen nga konflikti dhe varfëria.

Kriza në Kretë po testohet si një pikë kritike në debatet e brendshme dhe europiane mbi politikat e migracionit dhe mbrojtjes së kufijve.