11 MAJI NË STRASBURG! Berisha: Ankimim në Kushtetuese më tej Gjykata ndërkombëtare
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet nga selia blu denoncoi sërish sot “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.
Berisha tha se farsa elektorale e 11 majit është një hap vendimtar drejt zhvlerësimit të plotë të votës së qytetarëve shqiptarë.
Berisha gjithashtu tha se disponon regjistra me premtime nga qeveria për vende punë kundrejt votës në zgjedhjet e 11 majit.
“Problemi është këtu, kur tjetrit i premtohet, ai pastaj jep votën. Fakti është se këta duke regjistruar nevojën dhe premtimin, ashtu i marrin votën atij. I premton punësimin atij, kërkon kaq, duhet të punësojë”, tha Berisha.
I ndalur tek denoncimet për votën e diasporës, Berisha tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, si një shkallë për të kaluar drejt Strasburgut.
Berisha tha se “Gjykata Kushtetuese është e kontrolluar, por për hir të hierarkisë gjyqësore dhe Gjykatës Ndërkombëtare, të cilës do t’i drejtohemi për aspekte kushtetuese, sepse jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës, do kalojmë çdo fazë”, tha Berisha.

