Sindikata e Arsimit, Lama: VKM e 2024-ës preku 1/3-ën e mësuesve në sistem. Kushtetuesja i la në udhëkryq

Presidentja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Alma Lama e ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” foli këtë të hënë për sfidat e sistemit në një kohë kur dhe qeveria ka paralajmëruar një tjetër reformë në arsim.

Ajo zbuloi një çështje që sipas saj ka prekur 1/3-ën e të gjithë mësuesve në sistem.

“Ne kemi marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese e cila ka marrë një vendim të pjesshëm sa i përket Vendimit të Këshillit të Ministrave për çështjen e pagave.

Kjo VKM e vitit 2024 preku 1/3-ën e mësuesve në sistem, e cila preku dy komponentë: pagën e grupit dhe pagën e kategorisë, e cila vjen si rrjedhojë e përqindjes mbi këtë pagë të grupit.

Aktualisht që po flasim problemi vjen nga ligji për arsimin e lartë, i cili ka bërë një kategorizim të diplomave, korniza korrikulare e vlerësimit, nivelit 6 me 7, sot ka lënë në udhëkryq diplomat e mijëra mësuesve.

Ky gabim në projektligj ka sjellë pasoja, ku sot që po flasim ankesat e mësuesve janë në rritje. Unë nuk po pushoj dot nga ankesat që vijnë nga mësuesit e Lushnjes dhe Fierit lidhur me problemet që lindin me pagën e tyre.

Ka dy muaj që mësueve të ciklit iu ndalen 80 mijë lekë të vjetra në muaj për shkak se iu është dhënë më shumë lekë përgjatë këtij viti.

Ndërkohë që ne e ankimuam këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, e cila për shkak të kuorumit nuk dha dot një vendim, por për çështje procedure situata mbeti pezull.  

Dhe në këto momente, ne patjetër që ne na lind e drejta dhe do të vazhdojmë përpjekjet si organizim sindikal .

Sot do t’i dërgojmë një letër të hapur Kryeministrit dhe ministres së Arsimit në mënyrë që të fillojnë të mendojnë për një zgjidhje, pasi ne do ta përshkallëzojmë aksionin sindikal nëse nuk do të ulen kryeministri dhe ministrja për ta riparo dhe për ta kuptuar problemin.

Pasi gjatë procesit në Gjykatën Kushtetuese vumë re që përfaqësues nga Ministria e Arsimit nuk ishin të qartë për mënyrën se si po zbatohet, se si funksionon, çfarë ndodh me diplomat në sistemin arsimor.

Ndaj dhe sfidat tona janë të mëdha dhe patjetër që pagat janë çështja më e rëndësishme. Pagat tona janë dy deri në tri herë më të ulëta se mesatarja e BE-së”, u shpreh ndër të tjera Presidentja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit , Alma Lama.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ALMA LAMAN, KRYETARE E SINDIKATËS SË PAVARUR TË ARSIMIT TË TIRANË