Dosja “Partizani”, GJKKO rrëzon Berishën dhe Malltezin për përjashtimin e trupës gjykuese

Gjyqtari i GJKKO-së, Erjon Çela rrëzon kërkësen e avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët: Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Të pandehurit për dosjen “Partizani”, Berisha dhe Malltezi, kërkojnë që të mos gjykohen nga gjyqtarët e lartpërmendur, pasi, sipas tyre, këto gjyqtarë nuk garantojnë pavarësi dhe paanshmëri, duke qenë se monitorohen, përgjohen dhe mbikëqyren nga SPAK-u që është palë në këtë proces.

Më herët, relatores së trupit gjykues, Elsa Ulliri iu refuzua kërkesa për dorëheqje nga çështja nga zv/kryetari i GJKKO-së.

Gjyqtarja kërkoi dorëheqjen me arsyetimin se ka kushërirë deputeten aktuale të PD-së, Andia Ulliri.

Seanca e radhës për dosjen “Partizani” është caktuar të zhvillohet me 15 shtator.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”, ndërsa Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Të pandehur në këtë çështje janë marrë edhe shtetasit: Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.