Gjashtëmujori i jetë-ndërrimit të Kryepiskopit Anastas/ Fortlumturia e tij Joani: Të lutemi për të!
Në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Tiranë, është përkujtuar kryepiskopi Anastas në gjashtëmujorin e jetëndërrimit.
Fortlumturia e Tij Joani theksoi se kujtimi është pjesë e rëndësishme e teologjisë orthodhokse.
Teksa drejtoi meshën, Kryepiskopi Joan dha mesazhin se kujtimi i atyre që janë larguar, ndihmon në kujtimin e vdekjes dhe kjo është mësuesi më i mirë për t’i mbajtur njerëzit larg mëkateve.
Fortlumturia e Tij u ndal më gjatë te Kryepiskopi Anastas. Në këtë ditë, Fortlumturia e tij Joan u kërkoi besimtarëve që të luten për kryepiskopin anastas.
FJALA E PLOTË E FORTLUMTURISË SË TIJ, JOANIT
Sot jemi mbledhur për të përkujtuar Kryepeshkopin Anastas, në gjashtëmujorin e ndarjes së tij nga jeta. Kujtimi është diçka shumë i rëndësishëm në Kishën Orthodokse. Gjatë kungatës, dëgjuat: “Lum ata që i zgjodhe dhe i more”, sepse tek Perëndia nuk ka të vdekur – të gjithë janë të gjallë.
Kujtimi është një pjesë e rëndësishme e teologjisë orthodokse. Ne besojmë që njerëzit janë një qenie komunitare. Kisha nuk është e përbërë nga individë të veçuar, por një komunitet i cili lutet, e kujtimi i tyre do të jetë brez pas brezi.
Ne i kujtojmë vazhdimisht dhe gjatë meshës. Në lutjet që lexohen, përmenden të gjithë ata që kanë ndërruar jetë, patrikët, profetët, të gjithë i kujtojmë. Në kishë ka një lloj kungimi të thellë të njerëzve njëri me tjetrin.
Kur themi se njeriu është një qenie komunitare, kjo do të thotë. Tek Zoti nuk ka të vdekur. Te potiri i shenjtë i kungatës përzihen të vdekurit me të gjallët. Edhe në jetën tonë, ata janë së bashku. Kujtimi nuk është thjesht një ndjenjë emocionale apo një diçka intelektuale. Është një kungim i vërtetë dhe i thellë. Kjo është Kisha e Krishtit.
Nëse nuk e ndiejmë këtë lidhje, nuk jemi thellësisht në kungim me Zotin dhe me të tjerët që përbëjnë Kishën. Atje ku kujtojmë Krishtin, aty kujtojmë edhe Perëndinë. Dhe kur Perëndia duke ndjerë kujtimin tonë për Krishtin, Ai kujton të gjithë njerëzit që janë.
Prandaj, kujtimi është kaq shumë i rëndësishëm. Ai përcillet brez pas brezi në Kishë, sepse ka një kuptim të thellë: të kujtohesh përpara Perëndisë do të thotë të jesh i falur dhe të jesh në praninë e Perëndisë. “Kujtomë, o Zot, në mbretërinë tënde”,i thotë kusari.
Kujtimi nga Perëndia është shenja e faljes dhe e shpëtimit tonë. Ne i kujtojmë njerëzit sepse i duam. I kujtojmë familjarët tanë, por në Kishë kujtohen të gjithë – dhe përmes kujtimit, na sjell në një kungim me ta, na largon dëshpërimin.
Pa dyshim, ne dëshpërohemi kur një i dashur largohet nga kjo ne. Por siç na porosit Shën Pavli, ne nuk dëshpërohemi si ata që s’kanë shpresë, sepse besimi ynë beson që Krishti e mundi vdekjen, dhe tek Zoti nuk ka të vdekur.
Nëse i kuptojmë këto fjalë shpirtërisht, jo vetëm me buzë, atëherë ndiejmë një siguri të thellë edhe për veten tonë. Kujtimi i atyre që janë larguar nga kjo jetë na ndihmon të kujtojmë edhe vdekjen – dhe ky kujtim është mësuesi më i mirë shpirtëror. Sepse kushdo që mban mend vdekjen, nuk do të mëkatojë lehtë.
Njerëzit e harrojnë këtë gjë dhe harrimi sjell mëkatin. Por nëse i kujtojmë këto gjëra vazhdimisht, do ta kemi gjithmonë parasysh që një ditë të gjithë do të paraqitemi para Zotit. Shumë nga mëkatet që bëjmë nuk do t’i bënim, prandaj është i rëndësishëm kujtimi.
Më e rëndësishmja, kujtimi na tregon dimensionin e thellë të përjetësisë. Dostojevski shkruan për një mik që i thotë: “Shkatërroi njërëzve shpresën te përjetësinë dhe jeta e tyre do të thahet”. Këto fjalë paraqesin kuptimin e thellë orthodoks të përjetësisë.
Nëse nuk e kemi në zemër dimensionin e përjetësisë, nuk mund të kemi paqe dhe nuk mund të kemi siguri. Jeta është e shkurtër. Një ditë të gjithë do të largohemi nga kjo botë, por te Zoti jetojmë gjithmonë.
Vargjet që dëgjuam nga psaltët: “Lum ata që i zgjodhe dhe i more”. Një nga këta është edhe Kryepeshkopi Anastas, për të cilin duhet realisht të falënderojmë Perëndinë që u zgjodh dhe u mor. Ne besojmë se ai qëndron pranë Perëndisë, në tendën e të drejtëve, dhe lutet pa pushim për ne.
Kur ne lutemi për ta, ata luten për ne. Kjo është bukuria e kungimit shpirtëror që ndodh në Kishë – një bashkim i shenjtë mes atyre që janë në qiell dhe atyre që janë ende në tokë. Ky është kuptimi i thellë i përkujtimeve.
Në këtë ditë të veçantë, ju ftoj të gjithë të lutemi për Kryepeshkopin tonë të dashur, duke shpresuar se ai lutet vazhdimisht për të gjithë ne.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!


