Sezoni i komedisë shqiptare në DPA, shfaqet filmi “Kapedani”

Në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë shqiptare, Kinemaja Verore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA), shfaqi njërin prej filmave më të pëlqyer për publikun shqiptar, “Kapedani”.

Në këtë aktivitet të mundësuar falë bashkëpunimit të vijueshëm të DPA-së me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), ishin të pranishëm përfaqësuesit e dy institucioneve organizatore, nëndrejtoresha e përgjithshme e DPA-së, Marinela Ndria, drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini si edhe dhjetëra qytetarë të pasionuar pas kinematografisë vendase.

Kjo nismë e DPA-së, që për të dytin vit me radhë, i ofron publikut kryeqytetas një hapësirë të re kulturore, u mbështet nga “Cineplexx Albania”, që u kujdes për një atmosferë të këndshme mes spektatorëve.

Duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë vendase gjatë regjimit komunist, ky sezon i Kinemasë Verore të DPA-së, do t’i kushtohet posaçërisht komedisë shqiptare.

DPA fton të gjithë adhuruesit e kinematografisë shqiptare të rezervojnë falas biletën e tyre, në faqen: https://teater.arkiva.gov.al/ dhe hyrja do të jetë e lirë për të gjithë.

Nga batutat legjendare, te situatat plot humor të hollë, filmat që do të shfaqen në këtë kinema janë pjesë e një trashëgimie kinematografike që mbart jo vetëm të qeshura, por edhe reflektime të kohës kur janë krijuar.

Kinemaja Verore e DPA-së është një hapësirë me 140 ulëse nën qiellin e hapur, që ofron një mënyrë të veçantë për të përjetuar filmin si bashkëbisedim mes brezave.