KËRKIMI SHKENCOR PA MONOPOLE! Gjinushi: Bashkëpunim mes akademisë dhe universiteteve
Akademia e Shkencave do të kërkojë bashkëpunim me të gjithë universitetet për rritjen e kërkimit shkencor. Për të mbështetur projektet këshilli i posaçëm do të bëjë të mundur dhe realizimin e financimeve për to
Përmes një konference për mediat kreu i Akademisë së Shkencave theksoi domosdoshmërinë për heqjen e monopolist në kërkimin shkencor por dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimi me universiteteve.
Sipas Skënder Gjinushit në këtë mënyrë do të ketë dhe një hap të ri dhe më shumë të përfshirë.
Përmes këshillit do të bëhet e mundur rritja e kërkesës për të marrë më shumë mbështetje me fonde.
Gjinushi theksoi se studentët shqiptarë kanë treguar nivelin e arsimit në momentin që janë përballur me jetën akademike jashtë vendit, por theksoi se është e rëndësishme që edhe ata të japin mendimin në Shqipëri dhe të përfshihen në kërkimin shkencor.
FJALA E PLOTE E GJINUSHIT
Siç dihet, Akademia e Shkencave pas kryerjes së fazës së parë të reformës që kish për objekt vetëreformimin e saj e të strukturave pranë saj është angazhuar në fazën e dytë të reformës, e cila, synon reformimin e sistemit të kërkimit shkencor në vend nëpërmjet forcimit e zgjerimit të njësive ekzistuese kërkimore dhe krijimit të atyre të reja, në fushat kryesore të dijes.
Reformimi i sistemit të kërkimit shkencor tek ne është një domosdoshmëri për shkak të prapambetjes që ai ka në krahasim me Europën, e madje, edhe me vendet e rajonit.
Antarësimi ynë në BE, procesi i Berlinit, strategjija e kërkimit shkencor për 2023-2030-ën e vet ligji i ri për shkencën e rrisin presionin për të patur një ecuri të mirëmenduar e të koordinuar në këtë drejtim, me synimin konkret që investimi e financimi për shkencën të arrijë së paku në mbi 1% të GDP.
Akademia e Shkencave kontribuoi aktivisht në hartimin e ligjit për shkencën, duke e parë atë si një bazë të mirë për t'i dhënë një impuls të ri kërkimit shkencor e shkencës në tëresi, nëpërmjet një sistemi që ngrihet e funksionon sipas standardeve e parimeve të kohës. Po me atë përgjegjësi e interes po ndjekim e vlerësojmë se hartimi i akteve nënligjore, në zbatim të tij, duhet të jenë në përputhje me ligjin e frymën e tij, duke rritur efektshmërinë e qartësinë e veprimit të ligjit e jo duke e deformuar e keqinterpretuar atë.
Me këto akte është mundësia që t'u jepet zgjidhje disa prej problemeve kryesore që lidhen me kërkimin shkencor në Shqipëri siç janë: statusi e kategorizimi i punonjësve kërkimorë- shkencorë, respektimi i kodit etik në kërkim e lufta ndaj plagjiaturës; standardizimi e rankimi i instituteve e vetë kërkuesve shkencorë; financimi i kërkimit shkencor, ligjërimi i bashkëpunimit institute-shkolla të larta në projekte të përbashkëta e veçanërisht në realizimin e programeve të doktoraturës etj.
Projekt-aktet, deri më tani, nuk i plotësojnë pritshmëritë. Ato s’duhet të jenë produkt i strukturave të dominuara nga administrata burokratike, i veprimeve të nxituara, dhe mbi të gjitha, ato duhet të tejkalojnë frymën e mosbesimit ndërinstitucional që shoqëroi ligjin për shkencën.
Me të drejtë Kryeministri shrehu nevojen e rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili, duhet të jetë në harmoni me atë të shkencës.
Ligji për shkencën e ai për arsimin e lartë e ai për Akademinë e Shkencave nuk janë ligje konkuruese, por duhet të jenë komplementare e duhen trajtuar si të tillë. Sistemi i kërkimit shkencor e sistemi i shkollave të larta nuk janë të ndarë, por të ndërthurur e nuk mund të zhvillohen pa njëri-tjetrin; çdo forcim i njërit, ndikon vetëm pozitivisht tek tjetri.
Detyra e ambicia jonë kryesore e shkencës e arsimit, njehsimi i diplomave të shkollave tona me ato të shkollave të huaja e zbatimi i arritjeve e teknologjive të reja në ekonomi e kudo me ritmet e kohës, kërkojnë e realizohen nëpërmjet njehsimit të nivelit shkencor të pedagogëve tanë me ato të homologëve, gjë që arrihet vetëm nëpërmjet përfshirjes së tyre në kërkim.
Akademia e Shkencave, si një insitucion i rëndësisë së veçantë në kërkimin shkencor e koncepton çdo zhvillim të sajin në bashkëpunim me shkollat e larta; çdo strukturë e Akademisë së Shkencave përbëhet edhe nga personeli akademik i IAL-ve; çdo projekt i inicuar, financuar a mbështetur nga ASH-ja ndërmerret në bashkëpunim e me pjesëmarrjen e specialistëve të IAL-ve. Shembujt më të qartë janë tre projektet madhore të albanologjisë. Dhe kjo nuk është një përvojë a praktikë shqiptare. Kudo, fuqizimi i sistemit të kërkimit, i peshës e rolit aktiv të Akademive, ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e sistemit të arsimit të lartë.
Këto, fatkeqësisht, nuk kuptohen nga kushdo, çka çoi në shtimin e disa kufizimeve ambigue a të panevojshme në ligjin e ri për shkencën, të cilat kanë tendencën të thellohen me hartimin e projektvendimeve në proces, e këto përbëjnë shqetësimin tonë.
Për këto arsye: nuk po i jepet një zgjidhje e duhur, por vetëm formale, për etikën e plagjiaturën në kërkim; kategorizimi i kërkuesve shkencor zhvleftësohet e nuk jep efektin për të cilin është parashikuar në ligj; cënohet autonomia, ose krijohen shtigje keqinterpretimi për shkeljen e saj në financimin e institucioneve e të instituteve kërkimore; kompromentohet nevoja e bashkëpunimit midis instituteve dhe IAL-ve, duke u kthyer këtë bashkëpunim nga një domosdoshmëri të ligjshme, në atribut të njësive të veçanta.
Vetë koha e parashikuar në ligj nëntor 2025 për miratimin e akteve nënligjore lejon që ato të jenë produkt i një fryme bashkëpunuese ndërinstitucionale, pa nxitim e imponim në harmoni me ligjin e qëllimin e tij, çka do të mundësohej e institucionalizohej dhe me vënien në funksionim të Këshillit Kombëtar për Shkencën e Kërkimin Shkencor, i cili ngrihet për herë të parë pikërisht për këtë qëllim. Kjo risi e ligjit kërkon që aktet, para miratimit përfundimtar, të marrin mendimin e këtij Këshilli ku janë të përfaqësuar institucionet kryesore të politikbërjes, zhvillimit e financimit të kërkimit shkencor.


