Federata e Skive mbështetet me 10 milionë lekë për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore 2026

Këshilli i Ministrave miratoi sot financimin e Federatës Shqiptare të Skive në mbështetje të përgatitjes për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026.  

Qeveria, vendosi financimin, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026. 

Në vendim thuhet se fondi i përcaktuar transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Skive, në një bankë të nivelit të dytë, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. 

Gjithashtu, Federata Shqiptare e Skive, brenda muajit gusht 2025, duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Skive të veprimtarisë, për të cilën do të përdoret ky fond. 

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Skive për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.