TENTOHET PAQJA, LUFTA VAZHDON/ Hajdini: Ukraina refuzoi parakushtin e Rusisë, por po humbet çdo ditë territore
Profesori i Asociuar në Vjenë dhe në Paris, Ilir Hajdini, i ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora Neës”, komentoi zhvillimet ndërkombëtare u ndal tek takimi për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës që do të mbahet në Stamboll.
Hajdini u shpreh se Rusia dhe Ukraina shkojnë në këtë tryezë bisedimesh pa lëshuar asgjë nga kushtet e tyre, ndërsa shtoi në terren Ukraina po vijon të humbasë territore.
“Bisedimet e para duket se synonin shkëmbimet e ushtarëve mes tyre. Rusët duket se kanë interes më shumë, pasi atyre iu pëlqen të shfaqen në publik apo duke vazhduar negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje, por siç duket përderisa Ukraina nuk do që të pajtohet me shkrim, dhe përderisa ajo nuk do të arrijë të marrë edhe pajtimin e vendeve të NATO-s, ajo nuk do të aplikojë dhe nuk do të anëtarësohet në NATO, Rusia nuk do të shfaqë interes që të arrihet ndonjë marrëveshje për paqe.
Po ashtu, rusët kërkuan nga Ukraina që t’i lirojë 4 rajonet e vetëshpallura nga Rusia si pjesë të saj, sepse siç e dimë deri në rreth 75 % të këtyre territoreve ka arritur t’i marrë dhe ende ata janë duke avancuar drejt marrjes së plotë të këtyre territoreve edhe pse me ritme të ngadalësuara.
Dhe bashkë me Krimenë janë mbi 100 mijë km/katror që Rusia arrin t’i fusë nën kontrollin e saj.
Mirëpo Ukraina refuzoi që t’i japë këto territore pa luftë si parakusht për paqe, dhe në këto luftime Ukraina dhe Zelenski po humbasin çdo ditë territore në terren”, u shpreh ndër të tjera Ilir Hajdini.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PROFESORIN ILIR HAJDINI

