Arrestohet në Greqi oligarku moldav Vladimir Plahotniuc, i akuzuar për mashtrimin 1 miliard dollarësh
Një nga figurat më të diskutuara të politikës dhe biznesit në Moldavi, Vladimir Plahotniuc, është arrestuar në Greqi pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, mashtrim dhe pastrim parash.
Policia moldave njoftoi se u informua nga zyra e Interpolit në Athinë për ndalimin e Plahotniuc dhe një shtetasi tjetër moldav, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Plahotniuc u largua nga Moldavia në vitin 2019, në kulmin e një skandali të madh financiar që përfshinte zhdukjen e 1 miliard dollarëve nga një bankë moldave – një shumë që përfaqësonte rreth një të tetën e PBB-së së vendit në atë kohë.
Ish-lideri i Partisë Demokratike dhe një nga njerëzit më të pasur të Moldavisë u shpall person i padëshiruar nga SHBA në vitin 2020 dhe iu vendosën sanksione nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022 për korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor e zgjedhor të vendit. Gjatë këtyre viteve, vendndodhja e tij mbeti e panjohur.
Zyrtarë moldavë thanë se kanë nisur procesin e ekstradimit të tij nga Greqia, ndërsa arrestimi i Plahotniuc pritet të përshëndetet nga presidentja Maia Sandu dhe aleatët e saj në BE, në një moment kur Moldavia po përgatitet për zgjedhje kyçe në shtator dhe përballet me ndërhyrje ruse përmes fushatave dezinformuese.
