Berisha pret delegacionin italian, deputeti Battilocchio: Forza Italia gjithmonë në krah të PD dhe Shqipërisë
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka pritur ditën e sotme një delegacion italian, i udhëhequr nga drejtuesi i Forza Italia, njëkohësisht deputet, Alessandro Battilocchio.
Gjatë këtij takimi, Battilocchio ka shprehur mbështetjen e tij të pandërprerë për Partinë Demokratike dhe Shqipërinë.
Nga ana e tij, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë një pasqyrë të situatës politike në Shqipëri dhe farsës elektorale të 11 majit.
‘Shqipëria është kthyer nën drejtimin e Edi Ramës në të parin dhe të vetmin narko-shtet në Europë duke u kthyer në një rrezik real për BE-në dhe në veçanti për vendet fqinje si Italia.
E garantova Deputetin Battilocchio se Partia Demokratike do ta vijojë luftën e saj në zhbërjen e farsës së 11 majit duke denoncuar me fakte dhe raporte të pakontestueshme çdo krim zgjedhor, të çdo niveli dhe të çdo individi të përfshirë në to’, shkruan Berisha në një reagim të tij në Facebook, ku dhe ka publikuar pamje nga takimi.
Reagimi i plotë i kreut të PD, Sali Berisha:
Forza Italia, gjithmonë në krah të Shqipërisë!
Pata kënaqësinë e veçantë të prisja në takim Deputetin dhe një nga drejtuesit e Forza Italia, Z. Alessandro Battilocchio, Kryetar i Komisionit hetimor të Parlamentit Italian për sigurinë e qyteteve dhe një mik i vyer i Partisë Demokratike i cili ndjek në një mënyrë tejet aktive zhvillimet e Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare.
E falënderova Deputetin Battilocchio për mbështetjen e ofruar nga Forza Italia gjatë zgjedhjeve të fundit duke e siguruar atë se Partia Demokratike nuk do të rresht së luftuari farsën zgjedhore të 11 majit.
Shqipëria është kthyer nën drejtimin e Edi Ramës në të parin dhe të vetmin narko-shtet në Europë duke u kthyer në një rrezik real për BE-në dhe në veçanti për vendet fqinje si Italia. Një narko-shtet i cili është ndërtuar mbi vjedhjen sistematike të zgjedhjeve siç ishte dhe rasti i fundit ku partia-shtet organizoi mbi 4.500 aktivitete zgjedhore brenda dhe jashtë shtetit. Mijëra aktivitete keto të mundësuara nga abuzimi me burimet publike, njësoj si me tenderat elektorale të cilën kapin vlerën e gjysmë miliardi eurosh. Çfarë të thuash për 29.000 ha e parcelave kanabis në vend të 200 që parashikonte ligji?
Rasti i kartelit të Troplinëve, është shembulli më domethënës i këtij kriminalizimi dhe sesi pavarësisht hetimeve Italiane, shteti shqiptar për arsye të pastra elektorale e kriminale, bëhet palë me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Një sistem tjetërsimi kriminal i votës së lirë i cili mbështetet nga një administratë e marrë peng nga patronazhistë të shtrirë në çdo hallkë të institucioneve publike dhe që i kërkon çdo nëpunësi civil minimalisht 10 vota familjarësh. Ky presion synonte në veçanti diasporën siç u provua nga faktet e shumta që Partia Demokratike ka publikuar nga farsa e votës në Greqi e Itali në veçanti.
E garantova Deputetin Battilocchio se Partia Demokratike do ta vijojë luftën e saj në zhbërjen e farsës së 11 majit duke denoncuar me fakte dhe raporte të pakontestueshme çdo krim zgjedhor, të çdo niveli dhe të çdo individi të përfshirë në to.
Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit hetimor parlamentar italian për sigurinë e qyteteve, deputeti i qarkut Lezhë nënkryetar i parlamentit Agron Gjekmarkaj, Akil Kraja drejtori i kabinetit të kryetarit te PD si dhe kryetari i Partisë Demokratike në Itali, Bardhok Doda.
