“L*fta” e dajos me tezes për karrigen/ Përfundimisht për mandatin do të vendosë kreu i KQZ, Ilirian Celibashi
Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, dikur të bashkuar për të “shembur atë që në fushatë e cilësonin sistem”, tani po përplasen për një mandat deputeti. Ish kryetari I KQZ sqaroi për Ora Neës dorëheqjen nga dorëheqja të kandidatëve dhe si zgjidhet konflikti politike e juridik.
Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani u bashkuan në koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet" për një arsye madhore.
“Do ta shembim sistemin.”
Por tashmë që zgjedhjet kanë përfunduar dhe shumica e qarqeve janë certifikuar, të dy , Lapaj dhe Shabani , kanë nisur një përplasje të hapur politike mes tyre.
Situata nuk është e paqartë vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ligjor.
Pyetja që shtrohet sot është: A mund të ketë dorëheqje nga kandidimi? Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, jep këtë përgjigje:
“Ligjërisht, kjo është e mundur.”
Por disa prej kandidatëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” kushërinj dhe familjarë të Lapajt dhe Shabanitkanë nisur njëra pas tjetrës dorëheqjet nga dorëheqjet e mëparshme, dhe secili prej tyre tani kërkon mandatin e deputetit.
Zgjidhjet për këtë situatë janë të ndryshme, por politikisht gjasat janë thuajse zero që Lapaj dhe Shabani të rikthehen në të njëjtën tavolinë. Përfundimisht, do t’i takojë kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, të vendosë se kujt do t’i kalojë mandati i koalicionit “Shqipëria Bëhet”, i fituar në zgjedhjet e 11 majit.
Por ky konflikt, përveçse ligjor dhe politik, ka sjellë pasoja edhe në opinionin publik.
Kristaq Kume shprehet se kjo situatë ka zhgënjyer qytetarët shqiptarë, të cilët besuan se përballë kishin liderë të rinj që do të rrëzonin klasën e vjetër politike. Në vend të kësaj, ata po shembin njëri-tjetrin me akuza dhe deklarata të forta.
