Dubois paralajmëron Usyk para revanshit: Jam i pandalshëm, do të shkaktoj kaos

Që nga humbja dy vite më parë ndaj Oleksandr Usyk, boksieri britanik Daniel Dubois ka fituar tre ndeshjet e radhës, përfshirë një fitore ndaj bashkatdhetarit Anthony Joshua në “Wembley” në shtator.

Ndaj, 28-vjeçari beson se këtë herë do të arrijë të fitojë revanshin ndaj ukrainasit, në sfidën që unifikon titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

Dubois (22 fitore e 2 humbje në karrierë) tha se ndihej i pandalshëm.

“E kam ringjallur veten, e kam ringjallur karrierën time dhe tani jemi në rrugë të mbarë. Jam i pandalshëm, ndiej sikur nuk mund të mposhtem tani.

Jam në kulmin e jetës sime dhe do të kaloj nëpër çfarëdo që duhet të bëj. Jemi këtu tani, s’ka më justifikime”, tha Dubois për “BBC”.

“Duhet ta mposht këtë herë dhe do të fitoj. Do të shkaktoj kaos, nokaut, me çdo mjet të nevojshëm… Jam gati. Vëlla, jam 100 për qind gati.

Sapo të bjerë gongu e gjithë qasja ime është vetëm të kërkoj dhe shkatërroj, të sjell kaos dhe të marr fitoren, të kap momentin”, shtoi Dubois.