Berisha për shembjet në Theth: Asnjë ndërtesë e prishur nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha janë në zonën urbane
Kryetari i PD-së, Sali Berisha po zhvillon këtë të enjte një konferencë me gazetarët bëri akuza lidhur me ngjarjet e fundit në Theth të Shkodrës ku u shembën dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje në zonën turistike.
Ai e cilësoi "Paketën e Maleve" të qeverisë një farsë, ku sipas tij Edi Rama hiqet si pronar i maleve.
DEKLARATA E BERISHES
Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara. Dëshmi e shpërthimit të urrejtjes së një njeriu që ka urrejtjen njerëzore si shtyllë kryesore të moralit të tij të kalbur.
Edi Rama e ka shndërruar Thethin në një shesh shkatërrimi, në të cilin ky fshat, kjo zonë nuk është shndërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët.
Sot që flasim, në Theth janë hordhitë e ushtrisë, të cilat në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, janë shpalosur me urdhër të armikut të egër të Thethit dhe kryejnë detyrat që i ka ngarkuar Rama.
Pra, është i pabesë, i pamoral, i pafjalë. Asnjë ndërtesë nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane. Po, Thethi është park kombëtar, por Thethi ka një zonë urbane ku ndërtohet.
Shiheni atë zonjën që ka në krah, shend e verë. Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri.
Pse kjo? Ky është rezultati i qendrës së votimit ku ju patë atë krim të shëmtuar. PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre. Dëgjojeni këtë.
Para zgjedhjeve mburreshin me ato ndërtime, mburreshin se Thethi kishte arritur të ketë 2 mijë shtretër. Vërtet arritje shumë e madhe, po të kemi parasysh se një shtrat në Theth ka një kosto të paktën tre herë më të lartë se një shtrat në Tiranë apo bregdet, për shkak të infrastrukturës, distancës, etj.
Por ja ku janë 2 mijë shtretërit e Thethit, se si Edi Rama për shkak të disfatës elektorale, u hakmor në mënyrën më primitive, më çnjerëzore ndaj tyre.
Unë u bëj thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre.
Nga ky armik i egër i veriut të Shqipërisë në mënyrë të posaçme, por edhe shqiptarëve në tërësi, i cili rrezaton çdo ditë armiqësi, urrejtje, negativitet ndaj tyre. Pra, ky është Thethi i 2 mijë shtretërve sot.
Ai në veri mund të shkojë kudo, domethënë nuk ka pasur në historinë e shqiptarëve që është sjellë në mënyrë më të egër ndaj veriut se Edi Rama.
Ndërkohë që paguajnë qindra milionë euro taksa, marrin thërrime dhe vetëm mërgim, mërgim, mërgim. Prerje të ndihmave, mërgim, investimet më qesharake. Diskriminimi i veriut është i pashembullt.
Enver Hoxha e konsideronte zonë jo të veten veriun, por investimet i ka pasur më të mëdha. Investimet e diktaturës kanë qenë më të mëdha se investimet e Edi Ramës në zonat e veriut.
Pas Paketës së Maleve qendron një paligjshmëri absolute sepse Edi Rama autorizon veten të marrë tokat dhe të bëjë dhuratë tokat atyre që nuk mund t’i disponojnë kurrë tokat e tyre.
Veriu ka ndarë tokën sipas trashëgimisë dhe nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë tokë nga tjetri. Çdo përpjekje për të rrëmbyer pronë private në veri është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje, për të nxitur armiqësi, urrejtje dhe përçarje.
Në Paketën e Maleve, Edi Rama autorizon veten sikur të ishte pronar i maleve dhe alpeve dhe zonave të tjera. Ndaj dhe unë ftoj çdo qytetar t’i përmbahet me rigorozitet të madh respektimit të të drejtës së pronësisë në çdo zonë dhe kudo.
Nga ana tjetër jam i sigurt se Edi Rama do ndërsejë skuadrat e tij të trafikantëve drejt zonave malore. U bëj thirrje qytetarëve, asnjë metër katror tokë mos u shisni njerëzve të dyshimtë, njerëzve me para të pista apo me origjinë të paqartë.


