VIDEO/ I jepet titulli “Ylli i Mirënjohjes Publike” - Rama në konferencë me presidentin e Emirateve të Bashkuara

Në Tiranë që prej pasditesh së djeshme po zhvillon një vizitë zyrtare Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

Pasi është pritur në aeroport nga krerët e Qeverisë, kryeministri Edi Rama e ka pritur mikun e Shqipërisë në zyrën e tij në Kryeministri, ku pas takimit kokë më kokë  u mbajt dhe një konferencë e përbashkët.

Gjatë pritjes së Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Rama i akordoi Sheikh Muhammed Bin Zayed titullin e nderit “Ylli i Mirënjohjes Publike”.

Më herët, në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Al Nayan bëri të ditur se në takim u  shkëmbyen mendime mbi një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.

“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, për të diskutuar mënyra për forcimin më tej të partneritetit në zgjerim mes vendeve tona.

Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare, dhe riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur përpjekjet për të avancuar paqen dhe stabilitetin në dobi të të gjithëve”, u shpreh Presidenti Al Nayan në rrjetet sociale.