Modric: E zgjodha menjëherë Milanin, ky klub nuk mund të kënaqet me...
Luka Modric ka nisur zyrtarisht aventurën e tij të re me fanellën kuqezi, pas një epoke të lavdishme me Real Madridin.
Në një intervistë për Milan TV, legjenda kroate ka treguar arsyet e zgjedhjes së tij dhe ambiciet për të ardhmen me Milanin.
“Doja të qëndroja në Europë, në futbollin që ka peshë,” tha Modric, i cili afrohet me të 40-at, por me një pasion që ende digjet brenda tij.
“Që fëmijë ndiqja Serinë A dhe Milani ishte skuadra ime e preferuar, sepse aty luante idhulli im, Zvonimir Boban.”
Modric pranon se kishte oferta të tjera, por kur telefonoi Milani, vendimi ishte i menjëhershëm. “E dija që nga momenti i parë që doja Milanin. Drejtori sportiv, Igli Tare, erdhi vetë në Kroaci për të më paraqitur projektin.
Kjo më la shumë përshtypje. Më tregoi sa shumë i interesonte klubi dhe ideja për të ndërtuar diçka të madhe.
Milani është një nga klubet më të mëdha në Europë dhe ky klub nuk mund të kënaqet me mediokritetin. Duhet të kemi qëllime të mëdha: të fitojmë tituj dhe të konkurrojmë me më të mirët në botë.”
Për Modricin, ky nuk është një destinacion pushimi. Ai vjen me objektiva të qartë dhe një mentalitet fitues.
“Dua të sjell urinë time për fitore, të ndihmoj shokët e skuadrës në çdo aspekt dhe të punoj fort për të merituar vendin tim në formacion. Asgjë nuk është e lehtë, gjithçka kërkon përkushtim dhe luftë.
Dashuria për futbollin është forca që më mban gjallë. E ndiej ende zjarrin brenda vetes. Kam ende dëshirën dhe urinë për të fituar.”
Mesazhi është i qartë: Luka Modric nuk ka ardhur për të përfunduar karrierën, por për të nisur një tjetër kapitull madhështor. Dhe tifozët e Milanit mezi presin ta shohin në fushë.
