Blushi: Spektaklet e fundit në Theth dhe me Bashkitë, për të zhvendosur vëmendjen nga hajdutëritë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi sot se: "Aksionet kriminale dhe teatrale të Edi Ramës, nga shembjet brutale dhe të pabesa të ndërtimeve pa leje në Theth, te heqja e disa patronazhistëve nga bashkitë për t’i zëvendësuar me patronazhistë të tjerë që kanë vjedhur më shumë vota dhe deri te lufta qesharake kundër “rigonit” dhe qumështit pa leje, janë vetëm përpjekje për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga krimet e rënda që ai vetë dhe regjimi i tij kanë kryer ndaj shqiptarëve, për të mbuluar hajdutërinë sistematike dhe masakrën elektorale të 11 majit, që shënoi një nga ditët më të zeza të demokracisë shqiptare.
Prej 28 vitesh në politikë, ky shkatërrues i jetës publike dhe administratës shtetërore, zhvatës i përbindshëm i taksave dhe pronave të shqiptarëve, përfshi edhe të komuniteteve fetare, që në 12 vite Kryeministër vuri në jetë axhendën antikombëtare të shpopullimit, duke asgjësuar paralelisht shtetin ligjor për ta zëvendësuar atë me mafian shtetërore, vijon të konsumojë çdo ditë krime të rënda penale, por që vetëm drejtësia e re nuk i sheh për shkak se ka marrë përsipër misionin politik për të goditur drejtuesit e opozitës dhe jo për hetuar e ndëshkuar penalisht krimet shtetërore.
SPAK, i shndërruar tashmë në një zgjatim të zyrës së Kryeministrit, as që guxon të përmendë emrin e Edi Ramës, e jo më të nisë hetime për aferat më të rënda korruptive të shekullit:
Afera e inceneratorëve, të ideuar dhe vënë në jetë nga pronari i tyre faktik Edi Rama;
Dosja “McGonigal”, një skandal ndërkombëtar ku përgjegjësia e Ramës është e certifikuar të paktën 14 herë nga autoritetet amerikane;
Lidhjet me mafian ndërkombëtare përmes aferës Coldea, dosjes “Xibraka”, lejet e ndërtimit për Ndranghetan dhe pastrimin e parave të Sinaloas;
Kanabizimin e plotë të vendit, e së fundmi edhe me licenca zyrtare qeveritare,
Afera Becchetti, ku shqiptarët do paguajnë 150 milionë euro për hakmarrjen personale të një Kryeministri të kompleksuar nga media e lirë;
Rreziku i humbjes së mbi 2 miliardë eurove në arbitrazhe, për shkak të papërgjegjshmërisë kriminale shtetërore;
TEC-et lundruese në Vlorë, që nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, por kanë gllabëruar miliona euro;
Shembja kriminale e Teatrit Kombëtar, e deklaruar antikushtetuese;
Porti i Durrësit, ku u shkel çdo ligj vendor dhe ndërkombëtar, duke turpëruar Shqipërinë para BE dhe Parlamentit Europian;
Bordi i paligjshëm i çmimeve të ushqimeve dhe naftës, një tjetër skemë për të grabitur shqiptarët përmes oligarkëve të qeverisë;
Koncesioni kriminal i sterilizimit, një vjedhje e pastër prej qindra milionë eurosh me firmë të Edi Ramës.
Grabitjen e fondeve të IPARD, që përfunduan te inceneratorët,
Krimet e shëmtuara elektorale, nga dosja e pahetuar e Dibrës e deri te vrasja e votës më 11 Maj.
Në vend që të luftojë dhe hetojë krimin, SPAK është kthyer afërmendsh në zyrën e avokatit mbrojtës të Edi Ramës dhe Narkoshtetit, sepse për Altin Dumanin aktet më të rënda të kapjes së shtetit dhe zhvatjes së taksave të qytetarëve më të varfër të Europës konsiderohen “krime intelektuale” të vështira për t’u hetuar.
Sot, Shqipëria është në duart e një strukture mafioze që ka kapur për fyti shtetin, drejtësinë, dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Çlirimi i drejtësisë, barazia para ligjit, garantimi i votës së lirë, ndëshkimi pakompromis i të korruptuarve në nivelet më të larta dhe rikthimi i shtetit në duart e ligjit dhe të qytetarëve është e vetmja alternativë për çdo shqiptar të ndershëm e patriot, nga Thethi në Konispol".

