Pistorius në Uashington për bisedime rreth Ukrainës

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius mbërrin sot në Uashington për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe bashkëpunimin ushtarak brenda NATO-s me homologun e tij amerikan, Pete Hegseth.

Vizita, e para e Pistorius që kur presidenti i SHBA-së Donald Trump mori detyrën në janar,  ka të ngjarë të përqendrohet në dërgimin e sistemeve të mëtejshme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Në një konferencë për rindërtimin e Ukrainës në Romë të enjten, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi publikisht se Gjermania ishte e përgatitur të blinte sisteme të mbrojtjes ajrore ”Patriot” nga Shtetet e Bashkuara dhe t’ia jepte ato Ukrainës.

Oferta thuhet se i referohet dy sistemeve ”Patriot”, me një tjetër që do të financohet nga Norvegjia.

Ukraina ka thënë se ka nevojë për 10 nga sistemet e prodhuara në SHBA në total.

Bisedimet midis dy ministrave të Mbrojtjes mund të trajtojnë gjithashtu praninë e vazhdueshme të 38 000 ushtarëve amerikanë në Gjermani.

Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump planifikoi ta zvogëlonte në mënyrë drastike këtë numër, por duket se u tërhoq nga ky qëndrim gjatë një vizite të Merz në Shtëpinë e Bardhë në fillim të qershorit.

Trump e siguroi Merzin se nëse Gjermania donte që ushtarët amerikanë të qëndronin në Gjermani, ai ishte i gatshëm t’i mbante atje, duke thënë se “kjo  nuk ishte problem”.