Fituan rreth 1 mln paund duke tregtuar ilegalisht aksione të kompanive, dënohen me 11 vjet burg shqiptari dhe motra e tij në Britani
BRITANI- Një shqiptar dhe motra e tij në Britani janë dënuar më 11 vjet burg për përdorim të informacioneve të brendshme të një kompanie për përfitime monetare.
Redinel Korfuzi, i cili punonte si analist i tregjeve financiare në një kompani, është dënuar me 6 vjet burg.
Ai merrte rregullisht informacione konfidenciale dhe të ndjeshme ndaj çmimeve për kompanitë dhe tregun e aksioneve.
Midis 17 dhjetorit 2019 dhe 25 marsit 2021, Korfuzi në bashkëpunim me motrën e tij, Oerta Korfuzi, e cila u dënua me 5 vjet burg, e përdorën këtë informacion konfidencial për të tregtuar aksionet e të paktën 13 kompanive përpara njoftimeve në treg.
Nga kjo veprimtari e jashtëligjshme ata fituan rreth 1 milion paund.
Tregtimi i dyshimtë i aksioneve u zbulua nga sistemet e monitorimit të tregut të Autoritetit të Sjelljes Financiare (FCA)-së pavarësisht metodave të tyre, të cilat ishin hartuar për të fshehur përfshirjen e Korfuzit në tregti dhe për të maksimizuar fitimet.
Ata u arrestuan në mars 2021, me mbështetje nga Policia Metropolitane e Londrës. Rasti zbuloi gjithashtu një operacion ndërkombëtar pastrimi parash, që përfshinte 173 depozita nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.
Gjatë dy viteve, të dy kishin fituar shuma të mëdha parash që nuk mund të justifikoheshin.
FCA do të aplikojë gjithashtu për urdhra konfiskimi me qëllim rikuperimin e të ardhurave të krimit.
