Tarifat e Trump ndaj BE-së/ Gjermania në alarm: Rrezik ekzistencial për industrinë
Përveç qeverisë, përfaqësues të ekonomisë dhe industrisë po shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me vendosjen e tarifave shtesë nga qeveria amerikane për produktet e importuara evropiane. Ata flasin për një "rrezik ekzistencial" dhe bëjnë thirrje që Bashkimit Evropian të zvogëlojë varësinë nga tregu amerikan. Ekonomistët, nga ana e tyre, shpresojnë që Uashingtoni të tërhiqet. Federata e Industrisë Gjermane (BDI) e quajti këtë masë një “sinjal paralajmërues” për industrinë në të dy anët e Atlantikut.
"Një konflikt tregtar midis dy zonave ekonomike kaq të lidhura ngushtë si BE-ja dhe SHBA-ja do të dëmtonte rimëkëmbjen ekonomike, forcat e inovacionit dhe në fund të fundit besimin në bashkëpunimin ndërkombëtar", paralajmëroi në një deklaratë anëtari i bordit ekzekutiv të BDI-së, Wolfgang Niedermark.
Shoqata Gjermane e Tregtisë së Jashtme (BGA) nga ana e saj bëri thirrje për negociata nga BE-ja dhe foli për një strategji negociuese nga Uashingtoni.
"Njoftimi i Donald Trump për tarifat prej 30% është një pjesë e përgatitur mirë e strategjisë negociuese të presidentit të SHBA-së, por Evropa nuk duhet të impresionohet prej saj, por duhet të kërkojë me maturi një zgjidhje në tryezën e negociatave me kushte të barabarta", tha presidenti i shoqatës, Dirk Jandura.
Ai theksoi se Evropa duhet të zvogëlojë varësinë e saj nga tregu i SHBA-së.
"Një zonë e tregtisë së lirë me vendet e ASEAN-it dhe ratifikimi i shpejtë i Mercosur-it janë thelbësore", shtoi ai.
Në të njëjtën linjë, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) kërkoi një marrëveshje gjithëpërfshirëse BE-SHBA për të gjitha sektorët.
“Kompanitë tona kanë nevojë për perspektiva të qarta dhe të besueshme për marrëdhëniet tregtare dhe investimet me partnerin tonë më të madh ekonomik. Vetëm një marrëveshje e fuqishme mund të rikthejë parashikueshmërinë dhe besueshmërinë,” deklaroi Volker Treier, Drejtor për Tregtinë e Jashtme në DIHK për agjencinë Reuters.
Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA) paralajmëroi se tarifat mund të kërcënojnë vetë ekzistencën e shumë kompanive. Presidentja e VDA-së, Hildegard Müller, tha për ARD: “Është për të ardhur keq që po afrohet një tjetër përshkallëzim i përplasjeve tregtare. Kostoja për kompanitë tona tashmë ka arritur në miliarda euro dhe po rritet çdo ditë.”
Ajo shtoi se furnitorët e industrisë së automjeteve po ndiejnë tashmë ndikime të forta edhe nga tarifat për produktet që vijnë nga Meksika. Shoqata Gjermane e Makinerive dhe Inxhinierisë (VDMA) vlerësoi se tarifat 30% për eksportet drejt SHBA mund të rrezikojnë ekzistencën e shumë ndërmarrjeve.
“Shumë kompani do të mbijetonin me tarifa 10%, por 30% është krejt ndryshe,” deklaroi presidenti i VDMA-së, Bertram Kawlath, për revistën Politico, duke bërë thirrje për më shumë fokus në tregun evropian.
