Avdyli: Ndërmjetësimi po ul ngarkesën gjyqësore, çdo konflikt mund të zgjidhet brenda 30 ditësh

Ndërmjetësimi, gjithmonë e më shumë po shihet si një alternativë e shpejtë për zgjidhjen e konflikteve, duke shmangur zvarritjet e gjata gjyqësore.

“Kalvarin e proceseve gjyqësore me vite, një ndërmjetës I mirëtrajnuar e çon për zgjidhje në 1 deri në 30 ditë”.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, Drita Avdyli, zbulon se vetëm vitin e fundit ata kanë zgjidhur mbi 12 mijë raste, ose rreth 3% të ngarkesës së përgjithshme gjyqësore.

“Ne jemi në çdo qytet, zgjidhim të gjithë llojet e konflikteve dhe me institucionet publike, gjë që nuk e kemi pasur më përpara. Janë zgjidhur gati 12 mijë e 350 raste me ndërmjetësim që do të thotë gati 3% e ngarkesës gjyqësore zgjidhet me ndërmjetësim.”

Për skeptikët, sqaron se ndërmjetësimi është një mekanizëm ligjor që ka të njëjtën fuqi me një vendim arbitrazhi apo një vendim gjykate të Apelit.

“Zgjidhjet janë shumë të shpejta, nga 1 deri në 30 ditë. Janë tituj ekzekutiv, do të thotë që janë njëlloj si vendimi I arbitrazhit ose vendimi I Gjykatës së Apelit, por palët I japin dorën njëri tjetrit.”

Avdyli shtoi se raste të suksesshme ndërmjetësimi janë trajtuar në të gjithë vendin, përfshirë qytete si Tirana, Vlora, Elbasani, Lezha, Berati e shumë të tjera.