“Rama ‘shkund’ bashkitë/ Andoni: Diskursi për integrimin europian është dytësor, reformat nuk bëhen me aksione politike

Pas konfirmimit të tij si kryeministër me 83 mandate, Edi Rama ka 'shkundur' 61 Bashkitë. Ditën e djeshme zhvilloi një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe urdhëroi që brenda të hënës kryetarët e njësive administrative të shkarkohen, të ngrihet një qendër monitorimi për ndërtimet pa leje dhe operatorë ndërkombëtarë për ujin dhe për mbetjet.

Në po këtë takim u tha se pushteti vendor ka detyrat për negociatat e integrimit. A kemi të bëjmë me një lëvizje politike apo tashmë detyrat e shtëpisë të lëna nga Bashkimi Europian do të duhen të zbatohen në terren dhe për këtë duhet një dorë e fortë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", analisti Ben Andoni u shpreh se diskursi për integrimin europian në këtë kontekst është dytësor, pasi nuk mund të ketë përparim përmes aksioneve të menjëhershme, por vetëm përmes ndërtimit të strukturave funksionale dhe decentralizimit të vërtetë të pushtetit lokal.

"Ajo që dua që t'iu them, hapi i parë në integrimin europian është hapja e kapitujve dhe pastaj fillon përshtatja e këtyre kapitujve me kapacitetet e çdo vendi. 

Si e tillë në këtë rast, i gjithë diskursi përsa i përket integrimit europian mendoj se është dytësor. E para, sepse vendi punon në çdo kohë për standartet e tij dhe këto standarte nuk mund të arrihen menjëherë ose të arrihen me aksione.

Ndërkohë është ana tjetër që Shqipëria paraqit probleme. Disa herë kam thënë që një nga kapitujt më të vështirë të Shqipërisë është kapitulli që lidhet me mjedisin dhe rregullat. Duke jetuar në Shqipëri, duke parë realitetin shqiptar kemi parë atë përballjen e individit shqiptar me mjedisin. Kemi parë individin me pronen e të tjerë. 

Të gjitha këto nuk bëhen me aksione. Këto bëhen me struktura shtetërore dhe mbi të gjitha me një lloj decentralizimi ku pushteti lokal të ketë realisht pushtetin e vetë. 

Për fatin e keq, pjesa më e madhe e bashkisë është e socialistëve dhe ata janë krejt të bindur me ç'ka thotë Rama dhe nga ana tjetër kanë nxjerrë dobësitë e frikshme. Këto dobësi qendrojnë por këto nuk bëhen tani.  Aksioni i zotit Rama duhet të ishte që si ky sezon të ishte sa më produktiv, sa më mikpritës për turistin e huaj dhe vendas, e nga ana tjetër të shikonim ku ishim me problematikat e vitit të shkuar", u shpreh Andoni.