"Nuk ulemi me qeverinë për reformën territoriale", Berisha: Rama është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic e vetë kryetar bashkie

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ne konferencë me gazetarët u shpreh se marrja e kompetencave të Ramës në pushtetin vendor, është akt i rëndë kushtetues dhe një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonalee të Këshillit të Europës.

Berisha, ka bërë të qartë se PD nuk do të ulet për të diskutuar për reformën territoriale me qeverinë e Edi Ramës, duke theksuar se ata nuk e njohin legjitimitetin e tij si kryeministër.

Berisha shtoi se Partia Demokratike nuk mund të pranojë të negociojë me një qeveri që ka arritur pushtetin përmes, siç e quajti ai, farsave elektorale.

Ai theksoi se reforma zgjedhore është çështje që i takon vetëm partive politike dhe jo qeverisë, duke rikujtuar se reforma e arritur më herët ishte shkatërruar nga ndërhyrjet e Ramës.

Pjesë nga fjala Berishës

Nuk ka diskutim që marrja e kompetencave të qeverisë vendore nga qeveria qendrore është një akt i rëndë antikushtetues dhe është një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të firmosur nga Shqipëria.

Është një shkelje e rëndë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006 që ndalon apo i heq të drejtën qeverisë qendrore të mos bëj asnjë ndryshim në vendimet e qeverisë vendore.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në atë vendim që për objeksionet që mund të ketë qeveria qendrore, ajo nuk mund të ndërhyjë në asnjë rrugë përveçse përmes gjykatave. Ta padisë në gjykatë.

Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic, vetë kryetar bashkie, ndaj ai sillet në këtë mënyrë. Por pse unë vazhdoj dhe do të vazhdoj në këto denoncime?

Midis të gjitha të drejtave, fjala e lirë dhe vota e lirë janë të drejtat më themelore. Të gjitha të tjerat vijnë pas.

Unë nuk ua lexova ju raportin se çfarë thotë për mediat dhe fjalën e lirë. Çfarë thotë për AMA-n dhe kontrollin nga qeveria dhe që janë shumë të rënda.

Por po merrem gjithnjë me votën, pa të cilën nuk ka demokraci. Pa të cilën nuk ka shtet ligjor. Shteti ligjor, kushtetutshmëria, liria dhe të drejtat bazë kanë në themel votën e lirë, vullnetin e lirë të qytetarëve.

PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të. PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale.

Ai nuk ka legjitimitet. Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri. Reformën zgjedhore e bëjnë partitë politike, nuk e bën qeveria.

Ai po, bëri gjithçka, e anuloi reformën që u arrit, vuri dorën e tij të zezë dhe arriti ato që deshi. Por reforma zgjedhore është gjithnjë atribut i partive politike.

PS është faktor politik i pluralizmit politik në Shqipëri, nuk u përcaktojmë ne kush do zgjedhë kryetar ajo apo kush është kryetari i saj, kështu që me PS ne nuk mund të themi se nuk do ulemi për reformën elektorale.

Ka rekomandime dhe ne ato do i shqyrtojmë. Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë. Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, ka humbur legjitimitetin.