PD kërkon ''ndihmën'' e Kolegjit/ U rrëzuan nga KAS, opozita ankimon rezultatin e qarqeve Tiranë dhe Durrës

Partia Demokratike ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Ata kërkojnë ripërsëritje të votimeve.

Partia Demokratike ka bërë lëvizjen e fundit ligjore për të goditur zgjedhjet e 11 majit, ku rezultoi humbëse përballë partisë Socialiste që fitoi mandatin e 4 radhazi.

Koalicioni opozitar i drejtuar nga Sali Berisha i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor me kërkesën për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve parlamentare në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan.

Kërkesa të njejta më herët janë rrëzuar nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, pas procesit të rinumërimit të plotë dhë të pjesshëm të votave për këto katër qarqe të mëdha.

Rihapja e kutive nuk prodhoi ndryshime të mandateve mes subjekteve politike  në garën e 11 majit, por vetem ndryshime të votave mes kandidatëve në listat e partive politike.

Partia Demokratike thotë se ka prova se zgjedhjet ishin një farsë elektorale dhe se PS përdoroi administratën, bandat dhe skema të tjera për të ndikuar në rezultat.

Por pas procesit të rinumërimit dhe verifikimit që vijoi për rreth tre javë, KAS me shumicë votash rrëzoi kërkesat e koalicionit PD-Aleanca Madhështore për pavlefshmëri duke vlerësuar se nuk ka fakte që provojnë pretendimet e opozitës.

Tashme beteja për pavlefshmëri të 11 majit në Tiranë, Durrës, Fier e Elbasan do të transferohet në Kolegjin Zgjedhor, që ka rrëzuar 8 kërkesa të ngjashme të opozitës për qarqet e tjera.

Partia Socialiste mori 83 mandate në zgjedhjet parlamentare, ndërsa koalicioni Opoztar PD-ASHM fitoi 50 vende në kuvendin e ri, sipas të dhënave të KQZ.