Sigurimet motorike, rritje me 13% në 5-mujorin e parë 2025
Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, tregu i sigurimeve të detyrueshme motorike shënoi një rritje të ndjeshme.
Të ardhurat nga primet e sigurimit për periudhën janar–maj arritën në rreth 6 miliardë lekë, duke u rritur me 13,03% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndër produktet kryesore, sigurimi MTPL i brendshëm vazhdon të mbajë peshën kryesore të këtij segmenti. Në janar–maj 2025, ky produkt regjistroi një rritje prej 12,73% në volumin e primeve të shkruara bruto. Bashkë me këtë rritje financiare, u vu re edhe një zgjerim i portofolit të klientëve, pasi numri i kontratave u rrit me 6,29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Edhe produkti Karton Jeshil, i cili u ofrohet automjeteve që udhëtojnë jashtë territorit të Shqipërisë, pati performancë të fortë.
Gjatë pesëmujorit të parë të vitit, primet bruto të shkruara për këtë produkt u rritën me 15,75%, ndërsa numri i kontratave u zgjerua me 15,32%.
Ndërkohë, sigurimi kufitar, që aplikohet për mjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar, shënoi gjithashtu një rritje të moderuar. Primet e shkruara bruto u rritën me 6,94%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 5,35% në krahasim me janar–maj 2024.

