Malaj: Drejt finalizimit çmimet e reja të referencës! Bashkitë të hartojnë planet e shlyerjes së detyrimeve brenda 20 korrikut!

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se është drejt finalizimit drafti për çmimet e reja të referencës për vlerën e pronave.

“Jemi drejt finalizimit të çmimeve të reja të referencës për pronat. Vlera e pronave është rritur me 26%, gjë e cila do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore”, tha ministri Malaj, gjatë takimit me përfaqësues të pushtetit vendor, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe anëtarët të tjerë të qeverisë.

Ai theksoi se taksa mbi pronën është një nga taksat kryesore në të gjitha bashkitë e vendeve europiane dhe duhet të marrë të njëjtën peshë dhe rëndësi edhe për bashkitë në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë me ndryshimin e çmimeve të referencës, Ministria e Financave do të bëjë edhe rivlerësimin e pronave me një normë tatimore të reduktuar.

“Ky mekanizëm do t’u japë mundësi qytetarëve që krahas vlerës së re të pronës së tyre, të bëjnë edhe rivlerësimin real të pasurisë që zotërojnë aktualisht”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, ky proces do të ndihmojë jo vetëm në krijimin e një sistemi më të drejtë dhe të saktë të taksimit të pronës, por edhe në forcimin e financave vendore në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

DETYRIMET E BASHKIVE

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se bashkitë që përballen me vështirësi financiare duhet të hartojnë dhe miratojnë planet e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri më 20 korrik.

Sipas tij, çdo plan duhet të miratohet në këshillin bashkiak përkatës dhe më pas të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave.

Më tej, Ministria do të ndjekë zbatimin e shlyerjes së detyrimeve brenda një afati 12-mujor.

“Bashkitë me vështirësi financiare duhet të përgatisin edhe planet e rehabilitimit financiar, të cilat po ashtu duhet të miratohen deri më 20 korrik dhe t’i kalohen Ministrisë së Financave për komente dhe rekomandime”, u shpreh Malaj.

Pas vlerësimit nga Ministria, theksoi Malaj, këto plane do t’i kalohen degëve të Thesarit për ndjekje dhe zbatim.

Ministri vlerësoi një sërë bashkish për rezultatet e arritura në realizimin e të ardhurave vendore dhe të investimeve.

Bashkitë që kanë realizuar mbi 70% të buxhetit të tyre të miratuar, si në aspektin e të ardhurave, ashtu edhe të investimeve, janë: Tirana, Kamza, Durrësi, Vlora, Elbasani dhe Shkodra.

Në këtë listë, Malaj përfshiu edhe bashkinë e Lezhës, e cila ka treguar performancë të mirë veçanërisht në zbatimin e projekteve investuese.