Koti: Ligji për bashkëpronësinë në pallate i jep më shumë fuqi administratorit, veçanërisht në vjeljen e detyrimeve
Pak javë më parë u miratua ligji i ri “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, me qëllim për të garantuar pronën private, bashkëpronësinë, si dhe sigurinë e ndërtesave në vetvete.
Ligji gjithashtu mbart detyrime për bashkëpronarët dhe përcakton standardet e administrimit të ndërtesave, si dhe detyrimin për regjistrimin e aktit të bashkëpronësisë.
Sipas ligjit, të gjitha ndërtesat do të duhet t’u nënshtrohen standardeve të administrimit për t’u respektuar nga bashkëpronësia që kanë të bëjnë me ruajtjen e higjienës, mbrojtjen kundër zjarrit, vendosjen dhe mirëmbajtjen e ashensorëve etj.
Ligji i jep të drejta organeve drejtuese si asamblesë së bashkëpronarëve, kryesisë dhe administratorit ose shoqërisë së administrimit në ndërtesa të kryejnë funksione të posaçme në kuadër të administrimit të pasurisë së përbashkët.
Po për të kuptuar më shumë se çdo të thotë ky ligj në përditshmërinë e banorëve, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte administratori i pallateve Isidor Koti.
Koti u shpreh që nga viti 2017 kur është miratuar dhe ligji i parë dhe deri më sot është vënë re një lloj cedimi në administrimin e pallateve.
“Këto cedime kishin të bënin në aspektin e funksionimit të kryesive dhe funksionit të administratorit, por dhe me arkëtimet, ku disa paguajnë dhe disa jo.
Ligji i ri është përpjekur të jetë pak më i drejtpërdrejtë tek roli i administratori duke i dhënë pak fuqi më tepër sa i përket ligjërimit të faturës së tij.
Kjo faturë këtej e tutje do të jetë ekzekutive, ashtu siç është fatura e ujit apo e dritave. Dhe që të bëhet kjo, ligji përcakton se çdo administrator pallatesh duhet të jetë i pajisur me NIPT, pra të jetë i regjistruar”, u shpreh ndër të tjera, administratori Isidor Koti.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME ISIDOR KOTIN

