Shkencëtarët japin alarmin/ Murtaja e dëmshme po shqetëson bregdetin e Stambollit
Ndërsa vera mbërrin dhe ujërat e Stambollit nxehen, qyteti përballet sërish me një nga kërcënimet më të mëdha mjedisore: mucilazhin detar, të njohur ndryshe si “ngjitësi i detit”.
Ky fenomen, një masë e trashë dhe ngjitëse e algave mikroskopike që mbulon sipërfaqen dhe fundin e detit, ka rifilluar të shfaqet në brigjet e Detit të Marmarasë, duke kërcënuar seriozisht ekosistemin, turizmin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Koenraad Marinus van Lier, një artist dhe notar që jeton në ishullin Burgazada, nuk ka mundur të futet më në ujë. “Dua të jem në ujë, por deti po vdes”, thotë ai me trishtim, duke parë detin që dikur e shoqëronte çdo mëngjes.
Ngjitësi, që në vitin 2021 mbyti masivisht jetën detare, është rikthyer me intensitet, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se këtë herë situata mund të jetë më alarmante.
Profesori Mustafa Sarı thekson se mucilazhi është rezultat i një kombinimi fatal: ngrohja globale që rrit temperaturën e ujit, natyra gjysmë e mbyllur dhe e ndotur e Detit të Marmarasë, si dhe derdhja masive e mbetjeve të patrajtuara urbane e industriale.
“Në tre vjet nuk kemi arritur të ulim ndotjen as me 1%. Në vitin 2021 kemi trajtuar 51% të mbetjeve urbane, në 2024 vetëm 51.7%. Kjo është një dështim”, deklaron ai.
Pamjet e realizuara nga zhytësi dhe dokumentaristi Tahsin Ceylan tregojnë shtresa të dendura ngjitëse që mbështjellin barin e detit dhe shkatërrojnë jetën poshtë sipërfaqes.
“Nëse kjo vazhdon, jeta detare do të zhduket përgjithmonë nga ky rajon”, thotë ai me shqetësim.
Megjithëse në vitin 2021 u miratua një Plan Veprimi me 22 pika për shpëtimin e detit, implementimi i tij ka qenë i dobët dhe i fragmentuar.
Shoqata e Bashkive të Marmarasë pranon se zbatimi ka hasur vështirësi për shkak të faktorëve jashtë kontrollit, ndërsa organizatat qytetare si “Gratë që Krijojnë Ndryshimet e Marmarasë” po përpiqen të mbajnë gjallë presionin publik për veprim konkret.
Përpjekjet për pastrim deri tani kanë qenë sipërfaqësore. Specialistët paralajmërojnë se nëse temperatura vazhdon të rritet dhe ndotja nuk ndalet, ngjitësi do të përhapet drejt Ngushticës së Bosforit dhe më tej në Detin e Zi.
“Fjala për Bosforin është ‘boğaz’, që do të thotë fyt. Deti i Stambollit po mbytet nga hundët; tani edhe fyti po mbytet”, paralajmëron Zafer Murat Çetintaş, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Mjedisor të qytetit.
Në Burgazada, van Lier pret. Pret që deti të pastrohet, që shpresa të kthehet.
Por ndërsa llumi i ngjitshëm zvarritet përsëri nëpër ujërat e ngrohta, frika e tij mbetet: “Kam frikë se jemi tashmë tepër vonë.”
