Presidenti i Libanit refuzon çdo marrëdhënie me Izraelin

Presidenti i Libanit, Zhozef Aoun, përjashtoi ditën e sotme, mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve të vendit me Izraelin, duke shprehur megjithatë mbështetjen e tij për një zgjidhje paqësore me shtetin hebre fqinj, i cili vazhdon të mbajë nën pushtim një pjesë të territorit libanez.

Kjo përbën reagimin e parë zyrtar të Libanit ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i cili më 30 qershor theksoi se Izraeli është ‘i interesuar’ për vendosjen e marrëdhënieve me Sirinë dhe Libanin.

Të dy vendet ndodhen ende në gjendje lufte me Izraelin dhe Damasku ka deklaruar se vendosja e marrëdhënieve është ‘e parakohshme’.

Presidenti i Libanit bëri dallimin midis paqes dhe vendosjes së marrëdhënieve’, sipas një njoftimi të presidencës libaneze.

“Paqe do të thotë të mos ketë luftë, gjë që është e rëndësishme për ne në Liban për momentin.

Sa i përket çështjes së vendosjes së marrëdhënieve, ajo nuk shqyrtohet në politikën e jashtme aktuale të Libanit”, tha ai, gjatë pritjes së një delegacioni nga një institut studimesh (think tank).

Ai i bëri thirrje Izraelit të tërhiqet nga pesë pika që mban nën kontroll në jug të Libanit, duke pohuar se kjo prani e forcave ushtarake izraelite ‘pengon shtrirjen e ushtrisë deri në kufi’.

Marrëveshja e armëpushimit që i dha fund luftës midis Hezbollait pro-iranian dhe Izraelit në nëntor, përcakton që vetëm ushtria libaneze dhe trupat paqeruajtëse (bluhelmët) mund të dislokohen në pjesën jugore të vendit.

Hezbollahu, nga ana e tij, duhet të tërheqë forcat dhe të shpërbëjë të gjitha strukturat ushtarake në rajon.

Këtë javë, autoritetet libaneze i dhanë përgjigjen e tyre, e cila nuk është bërë publike, një të dërguari amerikan lidhur me kërkesën për çarmatim të Hezbollahut në pjesën tjetër të vendit.

Presidenti i Libanit deklaroi në këtë kontekst se autoritetet janë të vendosura të 'kenë monopol mbi armët në vend'.

Zbatimi i kësaj vendimi “do të marrë parasysh interesat e shtetit dhe të stabilitetit, me qëllim ruajtjen e paqes politike nga njëra anë, dhe unitetit kombëtar nga ana tjetër”, theksoi ai, duke treguar se çarmatimi i Hezbollahut nuk do të arrihet me forcë.

Hezbollahu, që për një kohë të gjatë ishte forca dominuese politike në Liban, është e vetmja fraksion që ruajti arsenalin e vet edhe pas luftës civile në Liban (1975–1990), në emër të ‘rezistencës kundër Izraelit’.

Lëvizja shiite, arsenali i së cilës përfshin raketa, doli shumë e dobësuar nga lufta me Izraelin, që në thelb shkatërroi udhëheqjen e saj.