Lavrov: I konfirmova Rubios qëndrimin rus për Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se në takimin e djeshëm në Kuala Lumpur me sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, rikonfirmoi qëndrimin e Moskës për konfliktin në Ukrainë, të cilin presidenti Vladimir Putin ia kishte shprehur tashmë homologut të tij amerikan, Donald Trump në një telefonatë më 3 korrik.

Dje, pas takimit me Lavrov, Rubio tha se ministri i Jashtëm rus i kishte paraqitur atij një “ide të re” për Ukrainën, të cilën ai do t’ia paraqiste Trump dhe e cila “potencialisht mund të hapë rrugën” drejt paqes.

“Ne diskutuam për Ukrainën dhe unë riafirmova qëndrimin e shprehur nga presidenti Putin, përfshirë edhe një herë në bisedën e 3 korrikut me presidentin Trump”, theksoi Lavrov gjatë një konference për shtyp me rastin e takimit të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.