Starmer: Planet për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë do të zbatohen pas përfundimit të luftës
Planet evropiane për krijimin e një forcë paqeruajtëse që do të ndihmojë Ukrainën pas përfundimit të luftës – tashmë kanë marrë formë përfundimtare pas disa muajsh përgatitjesh, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi planin e të ashtuquajturit “koalicionin e të gatshmëve” gati për t’u zbatuar sapo të arrihet një armëpushim. Koalicioni u krijua në mars pas një samiti të mbajtur në Lancaster House në Londër, me qëllim mbikëqyrjen e luftës në Ukrainë.
Në atë samit, aleatët evropianë shprehën mbështetje për Ukrainën, pas një vizite të tensionuar të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit.
Sipas planeve të koalicionit, forcat paqeruajtëse nga Franca dhe Britania e Madhe do të dislokohen në Ukrainë, ndërsa vende të tjera do të ofrojnë mbështetje logjistike, me synimin për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus.
Liderët evropianë kanë theksuar se kjo marrëveshje do të varet nga një “garanci sigurie” nga SHBA-ja, që ka gjasa të marrë formën e mbështetjes ajrore – diçka që presidenti Donald Trump nuk ka pranuar ta ofrojë.
