Izrael/ Netanyahu gati të negociojë për armëpushimin në Gaza

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi sot se është i gatshëm të negociojë një ‘armëpushim të përhershëm’ në Rripin e Gazës gjatë një periudhe 60-ditore qetësie, me kusht që territori palestinez të çmilitarizohet.

Në fillim të armëpushimit (prej 60 ditësh), do të nisim negociatat për t’i dhënë fund përfundimisht luftës,” u shpreh Netanyahu në një mesazh të regjistruar, i publikuar sot, ndërsa vijojnë bisedimet e tërthorta me Hamasin.

Megjithatë, ai vendosi disa kushte të qarta: “Hamasi duhet të dorëzojë armët, Gaza të çmilitarizohet dhe Hamasi të mos ketë më aftësi as ushtarake, as qeverisëse.”

“Nëse këto mund të arrihen përmes negociatave, aq më mirë. Përndryshe, do t’i realizojmë me mjete të tjera, me forcën e ushtrisë sonë heroike,” shtoi ai.

Deklaratat e Netanyahut vijnë ndërsa në Doha po zhvillohen për të pestën ditë me radhë bisedime për arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e të gjithë pengjeve që mbahen në Gaza.

Familjarët e pengjeve kërkojnë që të gjithë të lirohen në të njëjtën kohë, por Netanyahu tha se kjo nuk varet nga Izraeli. “Ne po negociojmë me një organizatë terroriste brutale dhe dëshirojmë t’i lirojmë të gjithë njëherësh. Por kjo nuk është në dorën tonë,” tha ai në mesazhin e tij.

Nga 251 personat që u rrëmbyen më 7 tetor 2023 nga Hamasi, 49 ende ndodhen në Rripin e Gazës, por ushtria izraelite beson se 27 prej tyre janë të vdekur.