LAPAJT I RREZIKOHET MANDATI! Kandidati i NShB kërkon letrën e dorëheqjes, nuk mban mend ta ketë firmosur
Kreu i Nisma Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj rrezikon mandatin për në shtator pasi një prej kandidatëve ka kërkuar një kopje të letrës së dorëheqjes në KQZ. Zeqir Kordhoni pretendon se firma e tij është falsifikuar pasi nuk mban mend të ketë firmosur shkresën.
Adriatik Lapaj rrezikon të mos bëhet pjesë e parlamentit të ri në shtator.
Nga lista e mbyllur mësohet se 12 kandidatët e tiranës kanë paraqitur dorëheqjen nga mandati, duke bërë që në kuvend të futet Lapaj si emri që ka marrë më shumë vota në listë të hapur.
Por këtë të enjte Zeqir Kordhoni, I renditur I 9 nti në listën e mbyllur ka vënë në dyshim lënien vullnetare të mandatit. Përmes kësaj shkrese me shkrim dore kërkon një kopje të dorëheqjes së tij, që thotë se është dorëzuar nga partia Shqipëria bëhet, pjesë e së cilës duket se është.
Për Ora News, Kordhoni pretendon se firma e tij në letrën e dorëheqjes është falsifikuar, pasi nuk mban mend të ketë firmosur një gjë të tillë.
Madje, kandidati i zgjedhjeve të 11 majit në letër është vetë-cilësuar si deputet, ndërsa mësohet se ka kërkuar dhe një takim me bashkëkryetarët e koalicionit Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.
Në rast se 8 kandidatët e parë nuk marrin mandatin dhe Kordhoni heq dorë nga dorëheqja, ai do të bëhet pjesë e legjislaturës së 11-të të parlamentit duke djegur kështu ëndrrën e Adriatik Lapajt për t’ë qenë ligjvënës për 4 vite.
Kryekomisioneri Ilirian Celibashi nuk i ka shpërndarë ende mandatet e qarkut të Tiranës, për shkak të rinumërimit me kërkesë të opozitës.

