Panairi i Shën Prokopit në Kishën në ndërtim që mban emrin e këtij Shenjtori, Mbrojtësit të Tiranës
PANAIRI I SHËN PROKOPIT NË KISHËN NË NDËRTIM QË MBAN EMRIN E KËTIJ SHENJTORI, MBROJTËSIT TË TIRANËS.
U zhvillua sot, më 8 Korrik 2025 në Tiranë Panairi i shenjtë në nderim të Shën Prokopit, Mbrojtësit të këtij qyteti, në kishën në ndërtim që mban emrin e tij pranë kodrave të Liqenit Artificial.
Liturgjia Hyjnore kremtuese u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Amantias, Hirësi Nathanaili, Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin si edhe klerikët e Kryepiskopatës së Hirshme.
Fortlumturia e Tij Imzot Joani vizitoi para disa ditësh këtë vend të shenjtë, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen e mbikëqyren nga biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, z. Mihal Delijorgji, i cili është edhe ktitori i kësaj kishe.
Në këtë vizitë, Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë e zhvillimit të Panairit në këtë Kishë pavarësisht se është ende në fazën ndërtimore.
Kështu, në një kohë të shkurtër, nën mbikëqyrjen e Protosingjelit të Kryepiskopatës, Hirësi Anastasit, u realizuan përgatitjet e nevojshme për të zhvilluar këtë Panair kaq frymëzues për orthodhoksët e Tiranës dhe jo vetëm.
Të shumtë ishin besimtarët që morën pjesë në këtë kremtim madhështor, duke shprehur mirënjohje ndaj Kishës së Shenjtë që po bën të mundur rikthimin e këtij tempulli që u tjetërsua përgjatë periudhës së errët ateiste.
Gjatë fjalës që Kryepiskopi mbajti në këtë të kremte, ndër të tjera theksoi: "Falenderojmë Zotin për këtë kishë që kemi në nderim të Shën Prokopit; falenderojmë Kryepiskopin e lumur Anastas për përpjekjen që bëri për ngritjen e kësaj kishe.
Kisha do të jetë një bekim për të gjithë ne, sepse shën Prokopi është mbrojtës i qytetit të Tiranës dhe lutemi të kemi bekimin e tij. Nëse do e kujtojmë çdo ditë duke u lutur me një zemër të pastër, çdo lutje do të dëgjohet, pasi shenjtori është mjaft mrekullibërës".
